Site icon Telegrafi

Vdes albanologu Hans Joachim Lanksch

Sot, më 20 maj 2019, në orët e para të mëngjesit, pas një lëngimi të gjatë e të pashërueshëm u shua Hans-Joachim Lanksch, i mirënjohur në diskursin kulturor-intelektual shqiptar si përkthyesi i lirikës shqipe.

Hans-Joachim Lanksch lindi në vitin 1943 në Braunschweig (RFGJ) dhe u shpërngul qysh në rini në Munih ku studioi në fushat e filologjisë ballkanike, sllavistikë, kulturë popullore dhe albanologji. Studimi i thelluar i gjuhës shqipe, i kulturës dhe letërsisë shqiptare u përftua natyrshëm falë njohjes dhe miqësisë me Martin Camajn, i cili drejtonte atëbotë degën e Albanologjisë në universitetin elitar “Ludwig-Maximilian“ të Munihut. Falë kësaj njohjeje, Lanksch nuk u shkëput më nga letërsia dhe lirika shqipe, duke bartur e përcjellë këndin e saj në hapësirën gjermanishtfolëse.

“Penda e tij bëri të kumtojnë dhe ‘rikrijojnë’ gjermanisht shkrimtarë e poetë të spikatur si Martin Camaj, Lasgush Poradeci, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Visar Zhiti etj. Vëmendje të veçantë u përkushtoi përkthyesi ynë, për thuajse gjysmë shekulli, prurjes së brezave të rinj të shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, duke i bërë ata të njohur në letërsinë botërore bashkëkohore, si: Frederik Rreshpja, Jamarbër Marko, Rudolf Marku, Elvira Dones, Ridvan Dibra, Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Lindita Arapi, Agron Tufa, Ledia Dushi etj.”, shkruan studiuesi Bardhyl Demiraj

Exit mobile version