Ka ndërruar jetë 23 vjeçarja, F.R e cila ishte aksidentuar javë më parë te Rruga “B”.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 17:30 e kemi pranuar informatën nga QKUK, se ka ndërruar jetë viktima e dytë (këmbësorja) F.R.23 vjeç. Bëhet fjalë për këmbësoren e cila u aksidentua me datën 22 tetor 2018, në Rrugën B në Prishtinë”, ka thënë Ahmeti.
Edhe nga QKUK-ja, kanë konfirmuar për Telegrafin, vdekjen e 23 vjeçares.
“Ju konfirmojmë se përkundër kujdesit maksimal intensiv disa ditorë nga stafi i shërbimit intensiv në QKUK, në ora 17: 25 pacientja e aksidentuar ka ndërruar jetë. Gjendja që nga ardhja në intensive ka qenë rëndë”, ka thënë zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu.
Viktima ishte duke u trajtuar në repartin e intensives në QKUK që nga dita e aksidentit, por që nuk ka arritur të mbijetoi pas goditjes së fuqishme që kishte marrë.
Në këtë aksident kishte humbur jetën edhe 30 vjeçarja, Lendita Bardhi. /Telegrafi/