Telegrafi

Vdekjet nga coronavirusi në Rusi janë dyfish më shumë se sa në shifrat e raportuara – supozon Agjencia e Statistikave

Statistikat zyrtare të qeverisë sugjerojnë se më shumë se 45,000 rusë me coronavirus kanë vdekur që nga fillimi i pandemisë, dyfishi i numrit të vdekjeve të vlerësuara nga grupi i punës rreth coronavirusit Rusisë.

Sipas agjencisë shtetërore të statistikave Rosstat, 45,663 njerëz të diagnostikuar me COVID-19 kanë vdekur midis prillit dhe gushtit në Rusi, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Task-forca kombëtare, e cila mbledh shifrat ditore bazuar në të dhënat e raportuara nga qendrat rajonale të krizës, vendos numrin e përgjithshëm të vdekjeve në mbarë vendin në 21,475 gjatë shtatë muajve të fundit.

Kjo është më pak se gjysma e totalit pesë mujor të Rosstat.

Rosstat gjeti 7,463 viktima të lidhura me coronavirusin në gusht, duke përdorur shifrat e përpiluara nga shkaqet e vdekjes të renditura në certifikatat e vdekjes.

Dhe COVID-19 ka të ngjarë të ishte shkaku kryesor i vdekjes në 3,863 nga këto vdekje, tha Rosstat në një praktikë numërimi që bie ndesh me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ndërkohë thuhet se në 3,600 fatalitete të tjera të lidhura me coronavirusin, COVID-19 ose nuk kishte asnjë efekt ose “kontribuoi në komplikime që çuan në vdekjen e pacientit”.

Në përgjithësi, Rosstat regjistroi 157,181 vdekje në të gjithë Rusinë në gusht.

Kjo është rritur me 9.6% nga gushti 2019 dhe më e lartë se një mesatare prej rreth 150,000 vdekjeve në muajt gusht gjatë pesë viteve të mëparshme.

Numri ditor i infeksioneve të reja të Rusisë po vazhdon të rritet për një muaj të dytë radhazi pasi pjesa tjetër e Evropës thotë se po merret me “sulmin e një vale të dytë”.

Zyrtarët rusë insistojnë se vendi është ende në mes të valës së tij të parë.

Të hënën, Task-forca kombëtare konfirmoi 10.888 raste të reja me COVID-19, numri më i lartë ditor që nga 12 maj.

Ndryshe, Rusia ka numrin e katërt më të lartë në botë të rasteve të konfirmuara të coronavirusit në më shumë se 1.22 milion. /Telegrafi/