Site icon Telegrafi

“Vdekje për shqiptarët”, mbishkrimi që shqetëson shqiptarët

Në Kumanovë kohëve të fundit qytetarët shqiptarë në muret e ndërtesave hasin grafite me përmbajtje anti-shqiptare, me çrast më i theksuar është mbishkrimi “Vdekje për shqiptarët”, njofton Alsat M.

Mbishkrimet me urrejtje ndëretnike shqetësojnë qytetarët shqiptarë të Kumanovës, të cilët për Alsat shprehen se kjo nuk është hera e parë që hasin në mbishkrime të këtilla.

“Jemi të mësuar me grafitë të tilla, sepse vazhdimisht po përsëriten dhe se nuk ka as reagim institucional e as shoqërorë, kështu që ata sjellin neveri në shoqërinë tonë dhe shqetësimin nuk kemi kah ta adresojmë. Qytetarët nuk mund të fajësohen për këtë sepse vet qeveritë si ajo lokale si qendrore nuk marrin masa dhe vet ata janë krah i kësaj politike raciste e nacionaliste”.

“Natyrisht si qytetar I këtij vendi padyshim se jam i shqetësuar për këto akte, pasi që si dukuri në Kumanovë është e kamotshme, institucionet nuk ndërmarrin masa aq sa duhet, këto janë mund të themi edhe bomba të kurdisura ku një akt i vogël mund të shkaktoj edhe incidente e ndodhi më të mëdhaja më fatkeqe për banorët e këtij qyteti”.

Qytetarët e revoltuar fajësojnë pushtetin lokal dhe atë qendror pasi nuk bëjnë sa duhet për parandalimin e kësaj dukurie. Zoran Damjanovski kryetar i komunës së Kumanovës, thotë se i vlerësojmë vlerat artistike të shprehura nëpër mure, por jo edhe porositë nacionaliste të cilat jo vetëm që janë për tu gjykuar por edhe për tu ndëshkuar autorët e të njëjtave.

“Të gjithë ata që e dëmtojnë bashkëjetesën dhe shoqërinë qytetare në ndërtimin e mirëbesimit ndëretnik, komuna e Kumanovës do të ndërmerr masa për largimin e tyre. Gjithçka që jep pasqyrë të mirë për art në mure Kumanova do ti ruaj. Do t’i përkrahim të gjithë të rinjtë inventiv dhe tifo grupet që kanë tendencë për një shoqëri qytetare dha bashkëjetese, por nuk do ti përkrahim tensionet nacionaliste dhe ndëretnike të cilët na japin këto porosi përmes grafiteve të shkruara. Dua të porosis të gjitha grupet që të distancohen nga të gjitha dallimet ndër etnike dhe ndër kulturore, kurse në të ardhmen do të shohim që të mos vij deri tek një gjë e këtillë ndërsa autorët do të kërkojmë të ndëshkohen që të mos na përsëriten gjërat e njëjta”, u shpreh Zoran Damjanovski, kryetar i Kumanovës.

Për mbishkrimet me përmbajtje të urrejtjes ndëretnike shpesh here akuzohen tifozët e grupeve e ndryshme. /Telegrafi/

Exit mobile version