Bota mund ta ketë harruar shovinizmin e Serbisë, por ne kemi jetuar shumë gjatë nën sundimin e saj që ta harrojmë atë. Serbia e 2014-ës është po ajo e 1998-ës, po ajo e 1912-ës. Nuk mund ta kuptoj se si dikush mund të habitet me sjelljet e këtij shteti, i cili përpos viteve që kanë ndryshuar, edhe mjetet e edhe qëllimet i ka po ato që i artikulonin Vasa Çubriloviqi e Ilija Garashanini, e të tjerë para tyre. Ajo se me çfarë duhet të çuditemi është se sa gjatë e kemi lejuar këtë kastë të nënshtruarish politikë të na krijojë iluzionin e kushtëzimit të integrimit në Evropë, përmes marrëveshjeve të dëmshme e duke ju nënshtruar Beogradit.
Në krejt këto ngjarje, pozitive mund të quhet rikonfirmimi i vullnetit të popullit për bashkim. Është shumë mirë të shihet se si për një natë shpërfaqet kthjelltësia e identitetit kombëtar. Një gjë e tillë është theksuar më së shumti në Kosovë, meqenëse tash e 15 vite tentohet t’i mveshet një identitet i ri këtij shteti. Projekti tashmë i identitetit “kosovar” me ngjyrë të kaltër, të verdhë e të bardhë u skuq nga një ndeshje futbolli! Edhe kozmopoliti më irracional atë natë është bindur se një projekt i tillë është i dështuar. Kosova “multietnike” nuk mund të ekzistojë në një shtet ku mbi 92 për qind e popullit janë shqiptarë. Ky fakt nuk e pengon bashkëjetesën me kombet tjera, ama e bën irracionale tendencën e krijimit të një shteti shumë etnik.
Megjithatë, është fatkeqësi të shihet se potenciali i reagimit nuk është shfaqur edhe në momente të mëhershme, të cilat kanë qenë thelbësore për ne. Gjatë këtyre 15 viteve të fundit, në Kosovë ka pasur shumë momente kur reagimi i masës është dashur të shpërthejë. Këtu duhet ta kujtojmë Marrëveshjen Thaçi-Daçiq, e cila në thelb është më e dëmshme sesa huliganizmi serb i 14 tetorit. Po ashtu, Ligji për Amnistinë përbën një padrejtësi më të madhe sesa ajo e 14 tetorit. Këto janë dy nga shumë momente kur reagimi i qytetarëve duhet ta ketë pasur zellin e festës së 14 tetorit. Fatkeqësisht, e mbaj mirë në mend se gjatë momenteve të tilla sheshi ishte i mbushur përplot me njerëz të cilët “hanin e pinin e nuk ua ndiente” se çka po “zihej” vetëm pak metra larg tyre, në Kuvendin e Kosovës.
Po ashtu, këto ditë kemi parë shumë politikanë, gazetarë e analistë teksa zëshëm e shfaqin “evropianizmin” e tyre. Megjithatë, mënyra se si e shohin ata Evropën dhe mënyra se si sillen shtetet e Evropës kanë mjaft dallim. Përderisa këta analistë, gazetarë, e politikanë nuk e kuptojnë që vlerë themelore qoftë evropiane apo thjeshtë njerëzore është reciprociteti, ata nuk do ta kuptojnë se atë e kanë ngatërruar me servilizëm e nënshtrim. Përderisa nuk ekziston niveli i barabartë i njohjes reciproke, nuk është e mundur të krijohen raporte normale reciproke.
Presidenti serb sërish tha që shqiptarët nuk janë njerëz normalë. Çnjerëzimi, në kuptimin e mos njohjes së dikujt si qenie njerëzore, është teknikë për justifikimin e veprimeve dhunuese ndaj atij subjekti. Pra, bëjë jonjeri dhe kur e dhunon, ndërgjegjen e ke më të lehtë. Këtë e kemi parë të na përsëritet historikisht tek serbët. Prandaj, tentimi për t’i normalizuar marrëdhëniet me një shtet jo normal nuk bën gjë tjetër përpos që na çnormalizon.
Nuk mund të presim që Evropa të reagojë para nesh kundër fashizmit serb. Ky fashizëm është i drejtuar kah ne, dhe ne jemi të parët që duhet ta dënojmë atë. Mos reagimi i presidentes dhe kryeministrit të Kosovës, në një kontekst ku dhuna e racizmi kanë emër e adresë, na e rikujton se si ka funksionuar tash e sa vite politika e jashtme e Kosovës, dhe e shqiptarëve në përgjithësi. Në një politikë ku dukja e korrektësia politike janë mbështjellës, servilizmi e nënshtrimi janë përbërës!
Ka ardhur koha kur nuk duhet të brengosemi më se mos po hidhërohen fqinjët nga hapat që ne ndërmarrim. Gjithashtu, duhet kuptuar se komuniteti ndërkombëtar nuk mund të dijë më mirë se vetë shqiptarët se ç’është më mirë për shqiptarët. Bashkërendimi i politikës së jashtme të shteteve shqiptare është hapi i parë drejt ndërtimit të raporteve reciproke mes shqiptarëve dhe Serbisë. Dhe, përderisa kjo politikë nuk e respekton autonominë e saj për vendimmarrje, mentaliteti i nënshtrimit nuk do të zhduket.