Site icon Telegrafi

VDEKJA IME

Nga: Rrahman Paçarizi

Kalimi kah vorret ishte si kalimi i urës As Sirat, si kalimi i Chinvatit mbi flakët e ferrit, si kalimi i Stiksit në Mbretërinë e Hadit të pamëshirshëm. Gjithnjë më dukej se diçka lëvizte dhe gjithë trupi e mendja më tendoseshin kur kaloja kah varret. Kur afroheshim te varret, e duhej të kaloja dy palë varre për të shku te dajtë, ia lëshoja dorën gjyshes dhe kapja dorën e gjyshit. Më dukej sikur nga çasti në çast dikush a diçka do të dilte nga varri për të ma kapë dorën. I besoja gjyshit, se ishte i madh e i fuqishëm, bile në ditët me diell koka e tij më njëjtësohej me qiellin e me diellin, kur e ngrija kokën për ta shiku – kishte fytyrë dielli, pasi rrezet e diellit i përziheshin me fytyrën, ndaj i besoja. I besoja se ishte trim – nuk kishte frikë nga varret. “Sa herë m’ka zanë nata najkah ku s’kam pasë konak, kam fjetë midis vorreve – t’deknit nuk çohen e t’gjallët tuten m’u afru te vorret”, thoshte gjyshi dhe unë tmerrohesha tek e mendoja të shtrirë midis dy varresh, me ushtarët e vdekur që e ruanin nga të gjallët. Ku e dinte ai se të vdekurit nuk ngrihen natën dhe ta merrnin me vete?

– A tutesh pi vorreve?

– Jo bir, s’ki pse tutesh pi vorreve.

– Po unë tutna shumë!

– S’ki pse tutesh, vorret janë ledinë, mal, livadh, s’ki pse m’u tutë.

– E t’deknit qi janë mrenda n’vorre?

– Ata t’dekun janë, nuk çohen.

– Po, nashta natën çohen, ku e din ti?

– Me kanë që çohen, nuk ishim mërzitë kur des dikush.

– Aha, po ku e din ti që nuk çohen natën?

– Nuk çohen, se kam fjetë nërmjet dy vorresh dhe s’asht çu kush.

– Po, nashta janë çu po ti je kanë fjetë e s’i ke pa. E qysh more ke guxu me fjetë nër vorre.

– Kam fjetë se t’gjallët janë të pabesë, e kanë shpirtin e lig e t’deknit s’kanë shpirt, po mos u tut ma, a ma ke dhanë fjalën që ki me u ba oficir?

Unë vërtet kisha qef me u bë oficer, por kisha frikë nga vorret dhe nga terri, e oficerit mundet me i ra puna me kalu natën dhe i vetëm nëpër vorre. Ditën ia bëja disi, po natën si t’ia bëja? Terr e vorre – krejt fjalët e këqija e kanë nga një “rr” – vorr, terr, tmerr, sherr, rrebesh, rreh, vrragë… Rrëfimet për vdekjen më kishin hy në kokë. Dëgjoja gjithfarë rrëfimesh kur pushoja me kokën në prehrin e gjyshes dhe padashur dëgjoja biseda nga më të frikshmet kur ajo fliste me gratë e mahallës apo me gra të tjera që vinin për të ndejtë te gjyshja. Më pëlqente t’i dëgjoja ato rrëfime, por gjatë gjithë kohës i mbyllja sytë dhe e shtrëngoja trupin. Kisha frikë se mos me zinte gjumi. “Gjumi asht gjys’ deke”, më tingëllonin fuqishëm fjalët e gjyshes dhe nuk guxoja as të flija. Edhe pse i mbyllja sytë, i mbaja shtrëngueshëm deri në dhimbje se, ndryshe, kisha frikë se më zinte gjumi, ai gjumi që është gjys’ deke dhe e shihja veten duke ecë nëpër Sirat, urën që është sa një fije floku, unë që zija në thu në mes të livadhit – kurrë s’do të mund ta kaloja urën e Siratit për të cilën flisnin plakat, duke i bë edhe më të trishtueshme fytyrat e tyre të rrudhura që më frikësonin edhe pa folë për vdekjen. Unë tashmë kisha frikë jo vetëm nga vorret e nga nata, por edhe nga gjumi. Natën flija me dritën ndezë. Kur fikej drita, apo kur nuk kishte rrymë, hijet e pemëve a të reve në netët me hënë më ktheheshin në lugetër që do ta hapnin dritaren ose do të depërtonin përmes xhamash e do të më merrnin me vete sapo të më zinte gjumi. Ndaj, mbaja sytë hap me zor derisa gjumi më lodhte aq shumë sa qepallat më rëndoheshin e trupi më lëshohej – e ndieja trupin se si humbte fuqitë dhe lëshohej në mbretërinë e gjumit. A pushonin të vdekurit, si ne kur flemë, a shohin ëndrra, athua, a kanë frikë nga të gjallët e pabesë, që mund t’ua prishin gjumin e thellë e të përjetshëm, duke i çu lugat, siç flitej për një hoxhë në një fshat afër nesh që shkonte natën në shtëpinë e tij e shtëpitë e të afërmve dhe hapte dyer e u hynte në shtrat vajzave e nuseve të reja, të cilat thoshin se nuk e kishin hetu fare duke hy, por ua kish prishë gjumin zhurma e derës a rrokullisja e ndonjë ene a ndonjë vegle pune teksa iknin?

Krejt mahalla mbajti dritat ndezë për disa javë rresht. Shihej nga oborri ynë mahalla krejt e ndriçuar, ndërsa burrat thoshin se rrinin zgjuar gjithë natën, por asnjëherë nuk e panë. Sapo e fjetën mendjen dhe menduan se lugati tashmë kish heqë dorë nga vizitat dhe shpirti i hoxhës ish rehatu përjetësisht, burrat e lagjes nisën të flinin. Pak ditë më pas, prapë e njëjta gjë – prapë hynte nëpër dhomat e vajzave e nuseve të reja, sidomos të atyre që flinin vetëm, a të nuseve që nuk i kishin burrat në shtëpi. Ato thoshin se nuk kanë parë as ndier gjë, veçse kur u ka dalë gjumi nga rrapëllimat, kanë hetu se dyert e tyre ishin të hapura ose të pambyllura siç i kishin lënë kur kishin rënë për të fjetë. Dikush nga burrat që po veneronte natën, kish vërejtë se lugati hynte në shtëpitë ku rrobat ndeheshin në vig mbrapsht, se lugati hynte aty ku pantallonat a t’linjtat e burrave ndeheshin në vigje me këmbë përpjetë, ndaj nisën t’i ruanin vetëm ato shtëpi. Mirëpo, lugati kishte shpirt djalli dhe dinte gjithçka – e hetoi këtë ndryshim strategjie dhe nisi të shkonte në shtëpitë ku rrobat ndeheshin mbarë, me këmbë teposhtë. Thoshin se kur hynte te nuset bënte punë të këqija. Kushedi se çka bënte. Nga bisedat e përditshme të plakave kuptova se një nuse e re kish ngelë me barrë, pa e pasë burrin aty dhe duhej heqë barra se ishte barrë e dreqit. Pastaj, dikush tha se nuk duhej heqë barra, pasi fëmija që do të lindte do të kishte mundësi me i vërejtë lugetërit dhe me i ndjekë – shihej si një mbrojtje në të ardhmen. “E sheh babën e vet – veç ai e sheh”, thoshin plakat, duke i trishtu fytyrat e tyre të trishtueshme, edhe më shumë seç i trishtonin kur flisnin për vdekjen. Dhompir i thoshin atij fëmije që lindka nga nuset që mbeteshin me barrë në rrethana të tilla. Më dukej si vampir që e kisha pa nëpër filma. Sa e frikshme të lindte një fëmijë i tillë e ne të luanim me të. Jo, unë kam me ikë dikah, ndoshta te dajtë dhe më fjetë me gjyshin, mendoja me vete. Mirëpo, plakat thoshin se ai fëmijë mbahej pas lindjes në një vend ku nuk e shihnin të tjerët, mbahej në terr dhe thirrej nëse diku shfaqej një lugat. Ai shkonte dhe e ndiqte lugatin derisa e vriste. Lugati nuk shihej nga njerëzit e tjerë, por vetëm nga dhompiri e vrasja e lugatit nga dhompiri vërtetohej nga një njollë gjaku që mbetej pas vrasjes – as trup, as varr, as gjë. Pas kësaj, lugati, që do të kish pasë një peng sa kish qenë gjallë, nuk mund të vinte me për të trazu të gjallët.

Veç këtyre rrëfimeve të frikshme me lugetër, si fëmijë vdekjen e shihja si një ceremoni, paksa të ngjashme me dasmën – kur vdiste dikush vinin shumë njerëz, ashtu si në dasmë, rrinin në odë e pinin kafe e çaj, shtrohej bukë për shumë veta, nga disa sofra në odë te burrat, e disa të tjera te gratë e te fëmijët, vinin shumë njerëz të panjohur, nga anë e anës, që veç ne të pame e dasma mund t’i shihje dhe gati siç shkonin krushqit për ta marrë nusen, po ashtu shkonin për ta çu të vdekurin te vorret, bile, burrat u thoshin vade edhe dasmave edhe vdekjeve. Sigurisht që kishte dallime dhe i hetoja si fëmijë, pasi në dasmë njerëzit dukeshin të gëzuar e qeshnin, në odë kishte këngëtarë që këndonin deri natën vonë e pastaj shkonin në një odë tjetër për të fjetë, zakonisht vinin në odën e madhe të dajve, ku vazhdonin ndejën me plakun e me gjyshin, më shumë duke bërë muhabet e duke tregu ngjarje të ndryshme që mua më pëlqente me i dëgju derisa më zinte gjumi e ndonjëherë e këndonin edhe ndonjë këngë për hatër të plakut, ndërkaq në të pame nuk kishte ndeja të tilla dhe unë përfundoja në dhomën e gjyshes me ndonjë plakë që do të rrinte disa ditë andej dhe tregonte ngjarje të frikshme, që ma merrnin gjumin e ma kthenin frikën, që nuk ishte frikë nga vdekja, por frikë nga gjëra që nuk i njihja – ngjarje për njerëz të vdekur, shpirti i të cilëve endej shtëpi më shtëpi dhe mua s’kishte dreq që më bënte me dalë natën jashtë a me fjetë vetëm në terr dhe përfundoja në prehrin e gjyshes, duke u dridhë.

Në një të pame, një plakë pati ardhë me bujtë te gjyshja, pasi do të rrinte në të pame disa ditë. Ishte plakë e mbajtur mirë, me një fytyrë të gjatë e thatime, pa shumë rrudha dhe me dhëmbë të bardhë, krejt ndryshe nga plakat e tjera, të moshës së saj. Ajo kishte edhe dy dhëmbë ari që donte t’i vinte në pah, ndaj kur fliste e hapte gojën më shumë dhe i përvilte buzët më shumë që t’i dalloheshin dhëmbët me të cilët krenohej dhe nuk linte rast pa i nxjerrë. Rrëfimet e saj në fillim ishin të këndshme, pastaj vinin duke u bë më dramatike. Ajo dinte me rrëfy në atë mënyrë që të mbante gojëhapur dhe nuk i linte rend askujt me folë, jo se nuk e lëshonte rendin, por fliste në atë mënyrë që kushdo tjetër që përpiqej me rrëfy diçka, sado interesante të ishte, nuk i afrohej mënyrës së saj të të rrëfyerit që, teksa e dëgjoje, dukej se po shikoje film. Kur gratë e tjera shkuan me fjetë, ajo me një zë pak më të ulët, por plot dramë, me një zë që paralajmëronte diçka interesante dhe të kobshme në të njëjtën kohë, e shikoi gjyshen drejt në sy dhe gjyshja që e vërejti gjithë rëndësinë e asaj që ajo donte me i thanë, i mblodhi të pesë gishtat e dorës dhe majat e tyre i mbështeti për majën e mjekrës, ndërsa dora tjetër me të cilën m’i lëmonte pavetëdijshëm flokët, sikur iu ngri. “Ai që thojshin qi u çu lugat, hiç sish kanë ashtu”, tha ajo. Gjyshja mbeti e ngrirë dhe po e përpinte me sy e me veshë, ndërsa dora i kërceu në flokët e mia të bardha e të buta. “Do nuse e çika kishin lujt bisht”, vazhdoi ajo dhe u ndal. “Kuku!”, i shpëtoi gjyshes një klithmë që nuk e di nëse i shpëtoi tamam apo ishte një nxitje për atë plakën me dhëmbë dukati që të vazhdonte të tregonte. “Poooo”, ishte përgjigjja e saj. Sa doja me marrë vesh punën e bishtit – qysh nuset e çikat paskan bisht e unë s’e paskam ditë kurrë?!

Vdekja e parë për të cilën është folë ka qenë vdekja e Titos. Ndoshta, madhështia e ceremonisë mortore ma ka kriju idenë e njëjtësisë ndërmjet dasmës e vdekjes, aq madhështore ka qenë ceremonia e varrimit. Një e diel maji, kur unë isha vetëm tetë vjeç, pati lidhë njerëzit për televizori. Lajmi për vdekjen e Titos u prit pa dhimbje, por me frikë. Thuhej se vdekja e Titos çonte në luftë. Dola nga oda e vogël e improvizuar dhe te kroi i katundit, që ishte nja treqind metra larg shtëpisë sonë dilte tym. Lufta ndryshe nuk është, mendova me vete dhe dukshëm i frikësuar e pyeta gjyshen a kemi me i lëshu lopët në kullotë pasi ka vdekë Tito. “Valla me ta dhezë njo. Qysh mos m’i lëshu, ku din hajvanati që ka dekë Tita, gjaja dojnë me hangër…”, m’u përgjigj kërcënueshëm gjyshja, e cila ceremoninë mortore të Titos e përjetoi më së rëndi: Ne që mezi prisnim mos me i lëshu lopët, ndejtëm në shtëpi me përcjellë varrimin e Titos në televizor. Meqë varrimi zgjati deri kah ora katër e pasdites, ne tek atëherë i lëshuam lopët në kullosë dhe mugulli e bari i prillit e kishin pre në bark një mëshqerrë që gjyshja e kishte për qejfi. Meqë ajo kish kullotë rrëmbyeshëm, pas pak orësh ngordhi. “Gjithë sherrin ia kemi pa, veç pse ia shohim sherrin edhe për s’dekni, s’ia kam shti met. Po ju s’jeni n’tokë të bukës – për Titën mshtjerra kulloti rrmyshëm e na shkoi, he n’natë t’vorrit iu shkroftë!”, mallkonte gjyshja, së cilës nuk ia zinte goja me thanë që mëshqerra kish ngordhë a cofë siç thuhej, por thoshte “na shkoi”, thua se ishte anëtar i familjes. Për bletët thuhej se vdisnin, por për lopët jo. Por, për gjyshen time, që kish heqë keq gjithë jetën dhe mezi i kish rritë tre fëmijë, e vetme, lopa ishte pjesë e ekonomisë familjare dhe duhej trajtu barabarësisht. Kështu që, lufta nuk plasi, por mëshqerra e gjyshes që e kishte për qejfi, ngordhi për shkak të vdekjes a varrimit të Titos. Kufoma e Titos qe kufoma e parë që pata pa – një burrë i shkurtë e i shëndoshë, me flokë të verdha, shtrirë në një arkivol me ngjyra kuq, kaltër e bardh. Kjo pamje ma pati heqë paksa frikën që kisha nga të vdekurit, pasi kufoma dukej bukur dhe e rregulluar, e rregulluar dhe teleisur, si nuset. Në fund të viteve tetëdhjetë nga ushtria jugosllave nisën të kthehen kufomat e parë të të rinjve shqiptarë. Hapja e arkivoleve nga familjarët ishte vepra e parë e rebelimit. Tashmë isha i rritur dhe kuptoja. Fotografitë e kufomave ishin të trishtueshme, pasi kufomat ishin të qepura keq pas obduksionit. Nuk e harroj kurrë pamjen e trupit të një të riu nga një fshat i Klinës, ndër shqiptarët e parë të vrarë gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në ushtrinë jugosllave. Barku e gjoksi i tij ishin të qepur siç qepeshin thasët e paçingave gjatë të korrave – as sytë nuk ua mbyllte kush. Kufomat silleshin në atë gjendje që të sillnin neveri. Djem rreth nëntëmbëdhjetë a njëzet vjeç vriteshin dhe kufomat e tyre përdhoseshin, mu siç Akili kish përdhosë kufomën e Hektorit në luftën e pabarabartë ndërmjet një gjysmëperëndie dhe një të vdekshmi të zakonshëm, sado princ të kish qenë. E Akili e përdhosi fytyrën e Hektorit që, së paku, i vdekur të mos ishte më i bukur se ky, siç gjithë jetën kish qenë dhe një kufomë shndritëse, e një heroi të vrarë në mbrojtje të atdheut që rrezikonte t’ia merrte lavdinë. Nuk kishte veçse disa ditë pasi më kishin liru nga arresti dhe teksa malit po shkoja te një shok imi, një rafal automatiku jehoi malit duke prishë edhe cicërimat e zogjve e trembë dushkun që sapo mugullonte në sythat e parë. Dy fëmijë rreth dhjetë vjeç kish vra ushtria jugosllave që kohë pas kohe bënte stërvitje në malet në afërsi të fshatit. Kufoma e Arsimit dhe e Dinës ishin të trishtueshme, pasi ishin goditë me plumba më të mëdhenj se trupat e tyre. Pastaj, të vrarët, të vdekurit e kufomat u bënë pjesë e përditshme e jetës.

Kur lufta merr fund, të duket sikur me të marrin fund edhe vdekjet. Por, vdekjet bëhen pastaj edhe më të rënda, pasi vdekjet në kohë lufte janë të lavdishme, se faji ka adresë, ndërkaq vdekjet në paqe janë vdekje të palavdishme, vdekje pa adresë, përveç vrasjeve, prandaj edhe vdekje të dhimbshme, pasi ka kohë të mjaftueshme me i vajtu.

“Kancer është”, tha baba, pas nja tri ditë përpjekjesh mbinjerëzore që të ma mbante fshehtë, me shpresën se, ndoshta, analizat e fundit do të dilnin ndryshe. Krejt bota m’u përmbys. Trupin ma përshkoi një valë e nxehtë valë, që duke dalë prej kreje, m’u duk që do të dilte me gjak të valë. E gjithë bota m’u rrotullu dhe para sysh u duk se më kaloi e gjithë jeta. Pse ma tha kaq pamëshirshëm? Pse s’më tha se është tumor, së paku, apo se mjekët po dyshojnë se është tumor? Fjala kancer më kafshoi pa fije mëshirë si një qen i çartun, e baba ishte i lodhur e dorëzuar, ndryshe nuk do ta thoshte atë fjalë. E kish përtypë tri ditë e mbajtë fshehtë, por tash i doli. U ktheva në dhomën ku nena shikonte si e hutuar. Ajo ishte shumë e mençur dhe e kish kuptu para meje se ç’sëmundje kishte. Fytyra e zverdhur i mori një çehre të lehtë kah e kuqja, kur ma pa fytyrën dhe më foli gjëra të zakonshme, sikur donte me ma përhumbë trazimin. Më dukej hipokrizi me folë në atë moment. Me folë kur para meje e kisha një njeri, nenën, së cilës vdekja jo vetëm i kish trokitë në sy, por sikur ia kish dhënë afatin për t’u përshëndetë me botën. Atë natë u kthyen në katund, e unë mbeta vetëm. Krejt mund t’i mendoja, veç nenës me sytë mbyllur, por vetëm ajo pamje më dilte para syve: nena e shtrirë në arkivol, veshur me një fustan të gjatë, prej mëndafshi a tyli të bardhë, me sytë mbyllur aq shpërfillshëm sa s’i bënte përshtypje as vaji im i çmendur. Kurrë s’kam arritë me i ndihmu nenës, që aq shumë kish heqë në jetë, ndaj tash është koha me i ndihmu, i thashë vetes. Herë e shihja atë e herë veten, shtri në arkivol. Doja me besu që të qenit në arkivol ishte shenjë e mirë, se do ta mundnim vdekjen e sigurt. “Kancer është”, më tingëllonte zëri i dëshpëruar i babës, i cili s’dinte me humbë beteja, por këtu ish dorëzu qysh në fillim. Seç e kisha pasë gjithmonë një bindje se ai mezi priste me qenë dikush sëmurë, në mënyrë që me luftu me vdekjen. Ishte si ata gjeneralët e krisur, që veç luftë donin dhe u dukej se u shkonte jeta kot nëse nuk luftonin, paçka se në to humbnin shumë jetë.

Gjithë jeta i kish kalu në luftë me vdekjen. As trishtohej, as dorëzohej. Edhe kur vdekja triumfonte, gjente arsyetime të ndryshme dhe i hynte një lufte të re. Në të vërtetë, që fëmijë e mbaja mend një ndër luftërat e tij të para me vdekjen. Ishte natë dhe unë, nëna e vëllai i sapolindur kishim rënë për të fjetë. Baba hyri në dhomë. Flokët i kishte të shprishur e fytyrën të dëshpëruar. Setrën bojëkafe e kishte krejt gjak. U trishtova. Nenës iu prish fytyra, por e ruajti atë qetësinë e zakonshme, një qetësi vrastare. Si ta kish vërejtë këtë, baba u ngut me folë: “Vdiq. Djalë i ri. S’mujtëm me ba kurrgjë. Krejt traktori i kish ra përmbi dhe e gjetëm vonë”, dhe përplasi setrën e zhveshun mbrapsht, kah astari vizëllues. Një burrë i moshës së tij, nja 26 vjeç, ish rrotullu e rrokullisë me traktor dhe kish humbë jetën. E nena, edhe vdekjen e vet po e merrte qetësisht, sikur nuk bëhej fjalë për vdekjen e saj. Nuk e di në kishte shpresa se, megjithatë, nuk ishte kancer apo thjesht ishte natyra e saj që të dukej e fortë. Nuk e kuptoja se si mund të dukej e fortë një grua që kishte fytyrë të brishtë, sy të kaltër, buzë të theksuara, mjekër pak si kërrute dhe lëkurë aq të bardhë e të hollë. Këto tipare mendoja se e bënin njeriun të butë dhe të gatshëm me ia plasë vajit çdo sekondë. Po, se ku i ishin shterru ata lot? Rrallë e kisha pa të qante – qante për babën e saj kur ishte në burg dhe për një kushëri që kish humbë jetën në Gjermani. Atë e kish shtypë një makinë teksa kish dalë një të diel pushimi me ble bukë. Thoshte se më e bukur kish qenë kufoma e tij sesa ai vetë. “Nur, e dritë bajke dhe dukej si me kan tuj keshë”, e përsëriste nena shpesh këtë refren. Ajo shpesh fliste për vdekjen, pa fije frike. “Marifeti shihet n’të pame, se dasmën gjithkush e ban mirë”, thoshte shpesh. Nena, nana ime donte me pasë kufomë të bukur e t’pame që kishin me përmendë ata që kishin me ardhë për ngushëllime. E baba e nisi luftën e tij. Thoshte se kanceri është i shërueshëm, por kompanitë e ilaçeve nuk ishin të gatshme me heqë dorë nga përfitimet. Ai kish nisë me u bindë se kishte të drejtë…

E nisëm për spital, unë e Mirja ia dhamë besën se kemi me e vizitu përditë. Të nesërmen tek po bëhesha gati me u nisë, cingërroi telefoni. Seç kisha një parandjenjë për vdekjen, për vdekjen me të cilën isha mësu me jetu. “Toni ka pasë aksident. Është në spital. Merre Miren e hajde!” U shtanga. Ishte 32 vjeç. Pas dhjetë vjet martese, një javë më parë e kish kuptu që po bëhej babë. Nesër do të mbulohej me dhé dhe krejt çka dinte ishte se priste trenjakë a binjakë. Kurrë s’do ta dinte nëse ishin binjakë a trenjakë; kurrë s’do ta dinte a kanë lindë a jo; kurrë s’do t’ua dinte emrat. “Veç lem me fjetë, se kjo është andërr, veç t’i msheli sytë pak bre”, thoshte Mirja, kur ia dhashë kumtin për të vëllanë. “Lem t’flej pakëz e kur t’më dalë gjumi, kalon kjo andërr e keqe e shkojmë te nena”.

Fytyra e Tonit ishte e bardhë, më e bardhë se zakonisht. E njihja Tonin tash e 22 vjet. Kurrë më i bukur se ashtu i shtrirë, i bardhë e ndriçues, me buzën pak si në gaz. Ndoshta duke mendu për trenjakët, ndoshta duke mendu për dhjetëvjetorin e martesës, atë ditë që i ish turrë dheut. Ndoshta, aq shumë e ka dëshiru të bërit babë, sa ka gulçu e s’ka mundë me e duru lumturinë. Kushedi çka ka mendu Toni gjatë nja 15 minutave që nga aksidenti e derisa ka dhënë shpirt. Tash rrinte shtrirë në kokërr të shpinës, pa u mërzitë nëse do të lindin fëmijët që aq shumë i kish dëshiru, pa u mërzitë se si do të rriten, pa u mërzitë për mërzinë e nanës, pa u mërzitë për mërzinë e motrave deri në çmendje, pa u mërzitë për vëllezërit. Edhe pak e do të shtrihej përjetësisht skaj babës, emrin e të cilit e kish lënë amanet së gjalli për fëmijën nëse do t’i lindte ndonjëherë. Diellin e një dite më parë, që kish qenë i fundit për Tonin, e zu shiu që e qulli tokën, për t’ia bë shtrat të butë, atë maj, ditë më ditë, 10 vjet pasi ish martu…

Unë e Mirja e kishim shkelë besën që ia dhamë nenës një ditë më parë se do të vizitonim çdo ditë në spital…

“Operacioni u kry, por nuk mund të themi se kemi pasë sukses, pasi pozita e tumorit është e papërshtatshme. Krejt çka kemi mundë, e kemi bë. Pjesa e jetës që i ka mbetë ka me qenë cilësore”, tha mjeku pas operacionit. “Edhe sa ka me jetu?”, e bëra pyetjen që s’kisha deshtë me bë kurrë. “Kjo është punë e Zotit”, tha mjeku. A mund të mbështetesha te Zoti. Tek ai Zoti të cilit i falej plaku, tek ai Zoti të cilit i lutej gjyshja, e cila e quante Perëndi, tek ai Zoti, tek i cili mbështetesha sa herë isha ngushtë. Tekefundit, a kisha zgjidhje tjetër, pos Zotit dhe babës që donte me luftu me mullinjtë e erës, që donte me nisë një luftë e cila, përveç ndërgjegjes, nuk i duhej gjë?! Unë isha dorëzu tashmë dhe çdo ditë e sa herë në ditë më kujtohej, i lutesha Zotit. Nena nuk e jepte veten. Thoshte se ndihej shumë mirë. Baba e gjeti një ilaç. Ishte helm akrepi – po luftonte me Zotin dhe me mjekët, i bindur se të paktën këtë betejë do ta fitonte. Pak javë pas operacionit nena ndihej mirë. Fotografimet tregonin se ajo po e fitonte luftën – ishte lufta e babës, as e nënës as imja. Më dukej se më i lumtur ishte ai që po e fitonte betejën e tij sesa nena vetë. Tekefundit, ç’rëndësi kishte.

Një infeksion i papritur, i zakonshëm pas operacioneve të tilla, e rrëzoi përdhe. Nena po hiqte grahmat e fundit. Pas një nate të rëndë, të nesërmen e nisëm për në Shkup. Kur mbërrita pak minuta pas autoambulancës, mjekja më tha se praktikisht kish vdekë në lift, duke e futë në sallën e reanimimit. “Nëse e pret mëngjesin, atëherë kemi shpresa, por shpresat janë të vogla…” Kjo shprehja “me të çelë sabahi”, më sillej në kokë që nga fëmijëria, që nga koha kur kisha frikë nga nata, nga terri e nga gjumi. Nena tash jetonte, por jetonte në terr. Njëzetenjë ditë në terr, në mes të një vorbulle uji, duke ma mbajtë dorën, siç gjethet i mbante dega në stuhi – i mbante aq sa mundte derisa shkëputeshin ashtu të verdha, si fytyra e nenës dhe binin teposhtë e përdhe e degët shikonin të pafuqishme – aq i pafuqishëm isha unë. E baba, kish humbë vetëm një betejë e po bëhej gati për vazhdimin e luftës – nuk dorëzohej ai. Ai ishte teknik mjekësor dhe tërë jetën ish marrë me të sëmurë. Infeksioni, sado i rëndë, kishte shërim, besonte ai, i bindur se kanceri tashmë ish zhdukë ose po zhdukej nën ndikimin e helmit të akrepit që e merrnim nga Kuba. Unë nuk e dija se po e mbaja nenën përdore gjatë atyre njëzetenjë ditësh në komë. Ta dija do të shtrëngohesha më shumë. Unë vetëm qaja, qaja si një vajzë e vogël jetime, e pafuqishme me ndryshu gjë në jetën e saj. I lutesha Zotit, shpresës sime të vetme dhe sa herë lutesha, më kthehej njëfarë besimi i çuditshëm, njëkohësisht më dukej se Zoti nuk kishte të drejtë të ma merrte nenën ashtu si pa të keq. Një shenjë do të duhej të ma çonte…

Pas njëzetenjë ditësh ndodhi mrekullia. Nena pati hapë sytë dhe sapo hapa derën e dhomës së kujdesit intensiv, nga ku çdo ditë e nxirrnin nga një kufomë, ajo m’i hodhi sytë, bashkë me një buzëqeshje të lodhur dhe lëvizi dorën. Doktoresha më tha se mund të hyja. Më shikoi gjatë e pastaj tha: “Ftoftë, shumë ftoftë, nashta pej ujit e kam. Mos ma lsho dorën!” Unë as që e kisha prekë, vetëm e shikoja dhe mezi e mbaja veten – nuk dija me u gëzu a pikëllu, e dija se vetëm duhej me qajtë e me qajtë. Baba po e fitonte edhe një betejë dhe po i hynte tjetrës. Nena përditë bëhej më mirë. “S’ka më kancer, u shkri”, tha nena në telefon gëzueshëm një pasdite të fillimit të dhjetorit. Mjeku ish habitë se si në rezonancën magnetike nuk vëreheshin më shenja të kancerit. Tash që besonte se e kish mundë, nena për herë të parë i tha me emër sëmundjes me të cilën po bashkëjetonte tash e tetë muaj. Fytyra e babës shkëlqente, e unë përditë e më shumë besoja se Zoti i dëgjonte lutjet e mia. Kisha nisë me e kuptu plakun që falej, ndonëse sa rritesha mendoja se plaku ishte shumë naiv tek besonte se Zoti kishte kohë të merrej me të. Baba ende më dukej një Don Kishot që luftonte me mullinjtë e erës. Për herë të parë po e dëgjoja pa trishtim nenën tek më kallxonte për ëndrrën njëzetenjëditëshe që kish pa sa ishte në komë, tre muaj më parë, e dëgjoja pa trishtim dhe, madje, arrija të qeshja kur i kujtonim shkëputjet nga realiteti që ajo i kish përjetu në ditët e para pas daljes nga koma. Ajo që unë e kisha mendu të kish qenë qetësi e nenës kish qenë trishtimi i saj. Qetësinë po ia shihja tash. E baba, vazhdonte me u krekosë. E kish përjetu personalisht këtë luftë – disa beteja i kish humbë e disa i kish fitu. Ndoshta ishte lufta e parë e kësaj natyre që e kish fitu gjatë gjithë jetës së tij.

Shijen e fitores baba e përjetoi vetëm nja dy a tri javë. Një ditë, nena ishte e mërzitur. E pyeta se ç’kishte, a mos kishte dhimbje. “Lem me kajt, bre bir, t’lutem, veç lem me kajtë!”, më tha. “Kohë me kajtë kemi sa të dush, por ma vonë, jo tash. Kemi me kajt në pranverë, bashkë, kemi me kajt prej gzimit”, i thashë. Ishte hera e parë që e pashë të dëshpëruar. Nuk ish dëshpëru as kur ia dhanë kumtet e këqija në Prishtinë, në Tiranë e në Shkup. S’e kisha pa të tillë. Ndoshta i ishin mbledhë dhimbja e frika, ndoshta ashtu papritë e kish lëshu shpresa, apo kjo e kish lëshu dorën, atë dorën me të cilën mbahej pas dorës sime… Nuk shkoi java dhe gjithçka u përmbys. Rezultatet ishin të këqija dhe prognoza e pashpresë. Baba kapi flokët gjysmë të thinjura me të dyja duart dhe i çoi hava, aq sa m’u duk se do ta zhbishte gjithë lëkurën e fytyrës, si një gjeneral të cilit s’i kish mbetë asnjë taktikë, asnjë strategji, asnjë ide… Unë u struka në dëshpërimin tim të zakonshëm prej antiluftëtari – i pafuqishëm, si gjithnjë, pa mund me i ndihmu nenës – thua se kish mjaftu ëndrra e saj ku i mbaja dorën.

Asaj, bashkë me dhimbjet iu kthy fuqia për të mos u dorëzu – ajo nuk donte të qante, sa e çuditshme ishte. “Nenë, mos u dorëzo”, i tha Mirja. “Jo jo, as ndërmend nuk e kam. Jam e fortë unë”, tha nena. Të nesërmen ajo u dorëzu. U dorëzu lehtë e shpejt. U dorëzu në krahët e mi, tek po e mbaja ashtu siç më kish mbajtë ajo. Më këqyri me një shikim që shihej se ishte i fundit, u shtrëngu pakëz dhe me sytë kah unë lëshoi një frymë, në dukje të parë të zakonshme, por krejt të veçantë, një frymë të ngrohtë prej nane dhe trupi iu këput në krahët e mi, sikur ajo frymë të kish qenë duke ia mbajtë gjithë trupin… Mend po çmendesha, ishte hera e parë që dikush dha shpirt në praninë time. E kisha taku vdekjen dhe e kisha humbë nanën. Dhe, kur mendova se bashkë me frymën e saj do të ikte edhe mendja ime, ballin ma freskoi një fresk, si fresk mëngjesi pranvere, që po ta mbaja mend do ta kisha ndi vetëm kur qeshë lindë një pranverë. Të kishte qenë shpirti i saj?!

Drita që lëshon kufoma është e pashpjegueshme – ajo është njëfarë aureole verbuese që frikëson me bukurinë dhe ndriçimin, është njëfarë si fanitjeje e një drite qiellore që nuk është dritë e diellit që të vret sytë, por disi është dritë që edhe mund ta shikosh, edhe të verbon njëkohësisht – është dritë e bardhë dhe jo e kuqe dhe mendja njerëzore ende nuk ka arritë me prodhu një dritë me ngjyrë e ndriçim të tillë. Duket sikur diçka e ndriçon nga brenda, ndërkohë që shpirti, si frymë e fundit, tashmë ka dalë dhe endet në hapësirë, ende duke e mbikëqyrë trupin në të cilin ka qëndru sa kohë… Është ndriçimi i fundit që trupi i pajetë bën përpara se të kallet në dhé, aty ku edhe takon si materie, i braktisur nga shpirti që endet lirshëm e lehtë, pa e pasë barrën e rëndë të trupit. Nëse shpirti është ajër, ai i vetëm fluturon si ajri dhe lëviz si të dojë e kah të dojë, pa pasë nevojë me bartë një grumbull mishi, nervash, eshtrash e lëngjesh që notojnë nëpër enë gjaku e kanale të tjera sendore. Tek e shikoj kufomën e bardhë me ndriçimin bluror, më përzihet gjithçka – pse në fanitjet hyjnore të nenës në kufijtë e vdekjes i dukej se i mbaja dorën e jo shpirtin.

“Veç ti ma mbaje dorën në atë vorbull uji të pastër si loti që sillej fort dhe kisha frikë se ma lëshoje dorën, shumë kisha frikë…”, tha nena me një mirënjohje të thellë, vetëm pak ditë pasi kish dalë nga koma njëzetenjëditëshe, e bindur se unë e kisha mbajtë në jetë. Për të, unë kisha qenë kufiri ndërmjet jetës e vdekjes, unë kisha qenë ledhi që nuk e lija ujin e rrëmbyeshëm e, çuditërisht, të pastër si loti, që ta rrëmbente e ta bartte në anën tjetër, në anën e frikshme, ku nuk kish pa as lule as zjarr, veç një dielli të largët, ashtu siç duket dielli kur e shikon i zhytur në ujin e detit. E, nena që kishte një frikë të pashpjegueshme nga uji, edhe pse ish rritë ndërmjet ujërash, njëzetenjë ditë kish jetu me vdekjen, në kufirin a kufijtë e saj në një vorbull uji, pa ma lëshu dorën dhe pa ia lëshu dorën.

U nisa për Prishtinë dhe qava e qava deri në ngufatje nga pafuqia ime në raport me besimin e saj në mua. Sa e rëndë ishte për një bir me qenë aq i pafuqishëm përballë një nëne që i kishte ditët të numëruara, vetëm atë ditë e kuptova, edhe pse disa muaj tashmë kisha jetu i mësuar me idenë se nëna do të vdiste një ditë, edhe pse deri atëherë gjithçka kisha mendu veç vdekjes së saj, të cilën kurrë në jetë nuk e kisha pa shtrirë, kurrë në jetë nuk e kisha pa me sytë mbyllë. Nuk besoja se sytë e saj të kaltër mund të kishin ngjyrë tjetër, ngjyrë lëkure – më dukeshin të fishkur, pa dritë. Kurrë s’e kisha pa nenën me sytë mbyllë, as fjetë, as shtritë – ajo zgjohej e para dhe flinte e fundit, ndaj s’kisha se si ta shihja shtritë as fjetë. E gjumi, ndoshta, është gjysmë vdekjeje, ashtu siç Tanatosi e Hypnosi mund të kenë qenë vëllezër, por jo binjakë.

U ula në “Amaro”, jashtë, për ta pi një kafe. Ishte mëngjes i hershëm vjeshte. Pakëz ftohtë, por durueshëm, për hir të cigares, që thoshin se më kishte hije. Bliri përballë, më në fund, ish dorëzu para shiut, të ftohtit, vesës, brymës, frymës, dredhës, veriut dhe ua kish lëshu dorën gjetheve që binin një nga një, duke i lënë të binin poshtë, drejt vdekjes, kalbjes përfundimtare, amshimit. Ato gjethe që në pranverën e hershme kishin dalë si sytha e bulëza në pipthat e degët e blirit, që për disa javë i kishin mbrojtë e ushqy lulet e pastaj i kishin lëshu vend pjalmit me aromën dehëse që i kishin ftu bletë, arëza e grerëza për t’i pjalmu e bë pjellore, që gjatë verës kishin bë hije e mbledhë e zgledhë oksigjenin në sipërfaqen e tyre të klorofiltë, që më pas kishin nise më u zverdhë, duke kërku ndihmën e degëve të rreshkura për të mos rënë në tokë ku shkileshin pamëshirshëm nga këmbë këmbësorësh që kalonin andej, duke u shndërru në njolla të verdha në betonin e vrazhdë, tani pas shumë përpjekjesh e shpresash se degët nuk do t’i lëshonin poshtë pa pikë mirënjohjeje, kishin rënë lehtë e lehtë, jo se i kish bartë fryma, por se i kish lëshu dega. Binin përtokë, përdhe, pa pikë shprese se kanë me u ngritë e kanë më u ngjitë sërish. Do të bëheshin një me baltën dhe sërish do të bëheshin ushqim për rrënjët e të nëjtit dru. A do ta përçonin te rrënjët edhe imazhin tim duke pi kafe, shikimin tim të përhumbur, me kujtimet për pamjen e fundit të fytyrës ndriçuese të nanës së vdekur; a do të përcillnin imazhet e mia duke pi kafen e mëngjesit, meqë ishin mësu me praninë time të përditshme, që kur kishin lindë, që kur kishin qenë sytha e bulëza; a do ta përçonin imazhin tim tek dehesha nga aroma që lëshonte pjalmi i blirit, e që unë e shijoja pa e mendu fare si thirrje seksuale të drurit ndaj bletëve e arëzave që silleshin të harlisura e thithnin nektarin e tyre. Ato kishin vdekë dhe unë kurrë nuk do ta kuptoja nëse isha pjesë e kodit të tyre gjenetik që do të përcillej përmes rrënjëve, pasi të ishin kalbë njëherë e bë njësh me dheun.

E, vdekja është art, pasi ndodh në mënyra nga më të ndryshmet, nga më të papriturat. Ajo nuk është si lindja, triviale, që dihet se kur e si vjen – vdekja vjen ashtu siç nuk e pret. Ende askush nuk e ka përcaktu as parashiku saktë vdekjen e vet, përveç qyqarëve jokreativë që vrasin veten a i vret shoqëria. Ata që e vrasin veten, nuk janë artistë, ata kanë frikë të presin se në ç’mënyrë do t’u vijë vdekja, ndaj i japin fund jetës dhe i shkojnë vdekjes në përqafim. Vdekja ata i merr vetëm fizikisht, ndërkohë që shpirti i tyre endet me aq pavendosmëri nëpër purgator, pa guxu me u përballë me gjykimin që i jep udhë kah parajsa a ferri. Vetëm Zoti ka të drejtë me qenë autori i vdekjes, në mënyrë që ajo të jetë e bukur dhe e përmbushur. Ata që vrasin përzihen në artin sublim të Zotit që krijon dhe çkrijon, që duk dhe zhdukë, që bën dhe zhbën. Vdekja është arti sublim të cilit i nënshtrohemi si secila materie, ndërsa shpirti ngritet lart në qiell në përpjekjen sublime për ta taku krijuesin. Edhe profetët, edhe shenjtorët, edhe besimtarët, edhe monoteistët, edhe politeistët, edhe deistët, edhe agnostikët edhe ateistët; edhe myslimanët, edhe katolikët, edhe protestantët, edhe evangjelistët, edhe budistët dhe krejt istët e tjerë, edhe budistët, edhe hindutë, kanë me e taku krijuesin e tyre, i cili ka i pranua sipas besimit të tyre. Në fund të fundit, secili jep llogarinë e vet për të bëmat e të pabëmat, secili jep llogari për të mirat e të këqijat, pasi Zoti nuk është as budist, as hebre, as mysliman, as katolik, as ortodoks – Ai apo Ajo, Zoti a Perëndia, artisti sublim ka mundësi të pakufishme për gjykimin final, ashtu siç ka mundësi të pakufishme për mënyrat dhe kohët e vdekjes së secilës qenie në tokë. S’ka qenie njerëzore në tokë që vdes nga i njëjti shkak dhe duke pasë jetu të njëjtën kohë dhe në të njëjtën mënyrë në tokë. S’ka qenie njerëzore që arrin me e parandi vdekjen e vet. Ato që ne i interpretojmë si parandjenja janë interpretime postfestum, interpretime në mënyrën tonë, ashtu siç interpretohet një vepër letrare, ashtu siç interpretohet një poezi moderne. Dhe, ashtu siç poezia e botuar nuk është më koncepti filozofik i autorit, por bëhet pre e interpretimeve, herë mediokre, herë lajkatare, herë të ndikuara nga emri i autorit a fuqia e tij a saj, edhe fjalët e veprimet e të sapovdekurve interpretohen nga të gjallët në të njëjtën mënyrë, kryesisht të frikësuar nga mënyra e panjohur e ardhjes së vdekjes së tyre, duke u përpjekë t’i thonë vetes se vdekja paralajmërohet, i ka shenjat e veta të cilat ne nuk dimë t’i lexojmë, por ato janë diku dhe, nëse përpiqemi, edhe mund t’i interpretojmë, siç zbërthehen ëndrrat, dhe duam të besojmë se dimë të interpretojmë, ashtu siç duam të besojmë se eliksiri ekziston dhe dikush do ta gjejë një ditë, në mos në trajtën primitive të besimit se eliksiri ekziston, atëherë mbështetur në kapacitetet shkencore për zgjatjen graduale të jetës, për klonimin, ndërhyrjet gjenetike, kryqëzimet etj.

Vdekja është si dimri – është e fundit dhe e ftohtë dhe, e bukur njëkohësisht. Plafi i borës mbulon tokën në bukurinë dhe në shëmtinë e saj ashtu siç velloja e një nuseje mbulon të kaluarën e saj. Bora mbulon njësoj, si livadhin me bar e lule, si mbi grumbujt e plehut, ashtu siç velloja mbulon çikat e mira dhe kurvat njësoj, së paku ditën kur bëhen nuse. Por, velloja, bora dhe vdekja, mbulojnë gjithçka, së paku për një kohë të shkurtë. Në varr mbulohen njëjtë të gjithë trupat, ata nuk gjykohen, veç thjesht futen në varr me të njëjtin ritual, me më pak a më shumë krushq, numri i të cilëve nuk varet nga pasuria, por nga kujtimet që pronari i vdekjes ka lënë për të gjallët. Pastaj, të gjithë janë njëjtë, se trupi s’ka faj; trupi nuk adhuron tjetër Zot; trupi nuk bën be rrejshëm; trupi nuk poshtëron prindërit; trupi nuk vret; trupi nuk tundohet dhe nuk është epshor; trupi nuk vjedh; trupi nuk tundohet e lakmon gjëra të këqija. Prandaj, trupi s’ka se si gjykohet dhe varroset e digjet njëjtë, varësisht nga kulturat dhe varret janë të njëjta, të ftohta, të frikshme.

Më shumë se vdekjes ia kisha frikë varrit, pasi shpirti e synon dhe e shpreson parajsën, e trupi, që është hamalli i shpirtit, nuk shpreson parajsën dhe nuk i druhet ferrit. Aty ku futet trupi është terr e ftohtë, plot insekte të pështira që mezi prisnin kalbjen e trupit për t’iu sulë kërmës. Ua kisha frikën territ e të ftohtit dhe më kujtohej gjyshja që e pati lënë amanet që kur të vdiste t’ia shtronim një dyshek në varr. Ia kisha frikën momentit kur do të më mbulonin me dërrasa, e sidomos dheut që me t’u hedhë do ta niste atë trokitjen e trishtë në fillim kumbuese, që vinte duke u mbytë dhe mbulonte dërrasat e bardha derisa bëhej një grumbull dheu me një dërrasë te koka me emrin, datën e lindjes dhe të vdekjes. Sa e rëndë me pasë datë të vdekjes, ndërsa gjithë jetën të është deshtë vetëm data e lindjes. Pastaj, pasi t’i thoshin ca lutje, të cilave s’di a u besonin vetë, pjesëmarrësit e varrimit, si krushq, ashtu siç kishin ardhë do të ktheheshin, duke u përpjekë që secili me dalë më shpejt nga vorret në përpjekjet me harru se ku kishin qenë, me harru se një ditë edhe ata kanë me u kthy një e nga një dhe me duru çastin e padurueshëm të lënies vetë që shndërrohej ngadalë në vetmi të përjetshme. Më së shumti kisha frikë nga nata e parë në vorre, jo mbi vorre, por i mbuluar me dhé. “Pasha natën e vorrit” ishte beja kërcënuese e gjyshes sime, beja së cilës nuk i binte moh, tokë e qiell me u bë bashkë. E nata e vorrit ishte nata më e rëndë, ishte nata vendimtare, kur shpirti përfundimisht shkëputej nga trupi dhe i bindej vendimit final të qëndrimit në purgator deri në ditën e gjykimit. A ishte dita e varrimit a dita e gjykimit, nata e vorrit, për të cilën fliste gjyshja?!

Vdekja është si Helena e Helena është si vdekja: nuk mundesh me i zgjedhë – ato zgjedhin. /Revista “Akademia”/

Exit mobile version