Telegrafi

Vdekja e trevjeçares në Prizren, drejtori i Emergjencave ftohet për intervistë nga policia

Drejtori i Emergjencave në Prizren, Bedrija Ejupagiq është ftuar për intervistë nga hetuesit e policisë, për rastin e vdekjes së trevjeçares nga rrënimi i shtëpisë së vjetër.

Burimet e “PrizrenPress”-it bëjnë të ditur se Ejupagiqit i është lënë thirrja për t’u paraqitur në Drejtorin e Policisë.

Ndërkaq, kryeprokurori në Prizren, Sylë Hoxha ka thënë se rasti i vdekjes së 3 vjeçares është duke u hetuar.

“Është autorizuar policia që t’i mbledh të dhënat dhe provat lidhur me shtëpinë që është rrënuar”, ka thënë Hoxha.

Të hënën Prizreni ishte shokuar me tragjedinë e ndodhur midis qytetit. Një mur i një shtëpie të vjetër është rrënuar dhe ka lënë të vdekur një vajzë 3-vjeçare.

Nëna e saj dhe motra tjetër 10-vjeçare janë lënduar.