Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka reaguar lidhur me vdekjen e të riut Jetart Berisha.
Në platformën Facebook, ai tha se gjendja shëndetësore e tij kërkonte trajtim profesional të avancuar, që sipas tij nuk iu mundësua nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK).
Haxhiu ka akuzuar Mjekimin Intensiv Qendror për neglizhencë në trajtimin e Berishës.
Ai ka bërë të ditur se familja e Jetartit ka kërkuar për dy muaj dërgimin e tij për shërim në Itali, por Klinika e Anesteziologjisë dhe Mjekimi Intensiv nuk e nënshkruan këtë dërgim me arsyetimin se gjendja e tij ishte “stabile”.
“Mjekët italianë kishin sugjeruar që të trajtohet në Itali, pasi gjendja e tij kërkonte intervenim të avancuar mjekësor për të përmirësuar shëndetin e Jetartit,” ka shkruar Haxhiu.
Deputeti ka kërkuar që Prokuroria të hetojë rrethanat e vdekjes së Jetart Berishës, duke shtruar pyetjen: “Si ndodhi që pas konstatimit të mjekëve tanë ‘se gjendja e tij është stabile’, Jetarti ndërroi jetë?” Ai ka theksuar se sipas raporteve mjekësore të MIQ – SHSKUK, nuk ishin planifikuar intervenime dhe as nuk ishte nënshkruar për trajtim jashtë vendit.
Jetart Berisha, i cili u plagos më 22 maj në Pejë bashkë me vëllanë dhe babanë e tij, ka ndërruar jetë duke mos arritur t’i mbijetojë plagëve./Telegrafi/