Vdekja tragjike e 29-vjeçarit Enea Themollari ka shkaktuar një valë trishtimi dhe dhimbjeje në Elbasan, duke tronditur thellë komunitetin lokal.
Enea, i cili ishte një viktimë e pafajshme e shpërthimit të tritolit më 14 korrik 2024, ndërroi jetë pas tre muajsh luftë për jetën në Spitalin e Traumës, për shkak të dëmtimeve të rënda në kokë.
Fqinji i tij, në një intervistë për Euronews Albania, theksoi se është e papranueshme që një ngjarje e tillë mund të ndodhë në shtëpinë e dikujt, ku ai duhet të ndihet i sigurt.
Fqinji tha se Enea ishte i vetmi që punonte në familje, duke mbajtur dhe dy prindërit e sëmurë.
“Shumë djalë i mirë, i veçantë nga të tjerët, nuk ka pasur fjalë. Është e pabesueshme. Tre muaj në gjendje kome. As e mendonim të ndodhte një gjë e tillë. Dhimbje e madhe, jo vetëm për familjen, por dhe për ne gjithë lagjen. I ati sakat, e ëma e sëmurë, ai punonte dhe mbante gjithë shtëpinë. Katastrofë e madhe për ta. Për çfarë arsye të ikë ky djalë? Ku është shteti, çfarë po bën? I pafajshëm, pa asnjë lloj arsyeje, në shtëpinë e vet. Ka gjë më të rëndë se të jesh në shtëpinë tënde dhe të ikësh? E pabesueshme!”, tha fqinji.
29-vjeçari ishte viktimë e pafajshme e shpërthimit me tritol që u vendos në portën e motrave Alda dhe Xhovana Nikolli. Fqinj me motrat Nikolli, i riu ishte shkuar në tualet në momentin që ndodhi shpërthimi, duke bërë që ai të merrte dëmtime të rënda brenda banesës së tij.
Në media dhe rrjete sociale motrat Nikollai kanë akuzuar Nuredin Dumanin si autorin që fshihet prapa vendosjes së tritolit. Sipas Xhovanës, motra e saj Alda ka qenë më parë në një lidhje romantike me Nuredin Dumanin.
Pavarësisht deklaratave të tyre ende nuk ka asnjë autor të ngjarjes së rëndë. /Telegrafi/