Ministri irlandez i Sportit, Michael Ring, ka vendosur të vë rregulla për artet marciale të kombinuara, pasi të hënën humbi jetën rrahësi Joao Carvalho.
Portugezi vdiq në Dublin pasi kaloi 48 orë në gjendje kritike, si pasojë e një meçi.
“Është e qartë se ekziston problemi”, ka thënë ministri për RTE Radio 1 duke shtuar se do të marrë informacionin e nevojshëm për ta rregulluar këtë sport.
MMA (Artet e kombinuara marciale) nuk janë nën ombrellën e Sportit irlandez, mirëpo ky sport është bërë shumë i popullarizuar në Irlandë falë suksesit të kampionit Dubliner Conor McGregor.
Carvalho humbi jetën në moshë 28-vjeçare pas lëndimeve në kokë që i mori në duelin kundër irlandezit Charlie Ward në evenimentin ‘Total Extreme Fighting’ që u zhvillua më 9 prill.
Stafi mjekësor e kontrolloi atë menjëherë, e dërgoi në emergjencë, mirëpo përkundër ndërhyrjes kirurgjike në tru, mjekët nuk ia dolën t’ia shpëtonin jetën. Ai vdiq të hënën (11 prill). /Telegrafi/