Site icon Telegrafi

Vdekja e shtetit

Pemishtja në foto, e cila është realizua në pranverë është pronë e familjes time. Është ngritur gjashtë vjet më parë (në Graboc të Epërm të Obiliqit) nga buxheti ynë familjar, pa as më të voglën ndihmë nga shteti. Në këtë hapësirë dhe tjerat përreth saj, janë mbjellë rreth 4 mijë fidane.
Pak ditë më parë, zyrtarë të KUR Prishtina, bashkë me ata të Kombinatit të Feronikelit ndërprenë ujitjen e pemishteve, të cilën e bënim përmes hidrosistemit Ibër-Lepenc. Megjithëse pemishtja është më pak se njëqint metra larg lumit Drenica, institucionet e shtetit na detyruan që ujitjen ta bënim pa lejen e Hidrosistemit, pasi lejuan Feronikelin që ta ndotë lumin Drenica nga metale të ndryshme, ndërkohë që Komuna e Drenasit dhe Obiliqit, tash sa vjet nuk ndërmorën as hapin më të vogël, për të ndaluar derdhjen e ujërave të zeza dhe kemikaleve në këtë lumë, i cili ishte më i pastërti në Kosovë. Në këtë lumë deri vonë jetonin gjashtë specie të peshkut, dy specie rosash të egra dhe specie tjera interesante, të cilat janë zhdukur.

Pak vjet më parë, kur Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e drejtonte ministri Dardan Gashi, i dërgova një shkresë atij dhe Departamentit përkatës të kësaj Ministrie, që të ndërmirrnin masa ndaj Ferronikelit dhe të ndalonin derdhjen e ujërave të zeza dhe kemikaleve përmes komunave të Drenasit dhe Obiliqit, pasi ndotës të lumit janë banorët e këtyre dy komunave. Pak ditë më vonë, njëri nga drejtorët e kësaj Ministrie, më thirri në telefon e tha:

– Jemi në vendlindjen tuaj. Nuk do të ndërmarrim diçka, por ju thirra t’u them se vendlindja juaj qenka e mrekullueshme!

Derisa institucionet e vendit tash 18 vjet, nuk ua faturojnë as energjinë elektrike as ujin komunitetit serb në Veriun e Mitrovicës, ndërmarrësve të tjerë nuk ua lejojnë as “luksin” e pagesës për ujin në këtë rast!

Tash 25 vjet jetoj në Prishtinë. Pemishten e kam ngritur për kënaqësinë dhe mirëqenien e familjes time. E kam ngritur edhe për t’i motivuar të rinjët se në Kosovë mund të jetosh dhe të bësh gjëra të bukura për familjen dhe njerëzit tu.

Këtë vikend do të jem në Prishtinë, derisa gjithë të tjerët i kam kaluar midis kësaj pemishteje. Këto ditë me vapë, fidanet janë vyshkur dhe është zor t’i shohësh si janë katandisur. Në shtator të këtij viti, për mungesë uji jam i detyruar që t’i nxjerrë fidanet dhe përmes fotografive t’ia ekspozojë shtetit që po vdes…

Exit mobile version