Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ka reaguar përmes një deklarate për mediat lidhur me vdekjen misterioze të 29 vjeçarit shqiptar, Pëllumb Marnikollaj në një komisariat të policisë në kryeqytetin grek Athinë.
Ja reagimi i plotë i MPJ-së:
Ministria e Punëve të Jashtme ka ndjekur hap pas hapi nëpërmjet të gjitha kanaleve zyrtare rastin tronditës të humbjes së jetës së shtetasit shqiptar Pëllumb Marnikolaj në një rajon policie të Athinës.
Duke u shprehur familjareve ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje tragjike, dëshirojmë të informojmë opinionin publik se:
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi ka kërkuar nga pala greke bashkëpunimin e menjëhershëm dhe maksimal të të gjitha organeve ligjzbatuese.
Nga kontaktet e deritanishme me autoritetet greke, bëhet e ditur se ekzistojnë pamjet filmike të ngjarjes, si dhe është urdhëruar kryerja e autopsisë mjeko-ligjore.
Ministria e Punëve të Jashtme do të vijojë të ndjekë me vëmendje të veçantë rastin dhe kërkon nga autoritetet greke kryerjen e një hetimi të plotë dhe transparent, në respekt të të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare.
Pala shqiptare mbetet në pritje të rezultateve paraprake të hetimit të nisur dhe bashkëpunimit të plotë të autoriteteve greke, duke rezervuar të gjitha të drejtat për trajtimin e mëtejshëm të rastit.
Ambasada jonë në Athinë do të ndjekë në vijimësi këtë çështje në çdo instancë dhe do të vijojë t’i gjendet pranë të afërmve të viktimës.
Deri në zbardhjen e plotë të situatës, MPJ fton të respektohet dhimbja e familjareve dhe të mos instrumentalizohet politikisht kjo ngjarje.