Liderët e partive politike në Kosovë kanë shprehur dhimbjen e tyre dhe ngushëllimet për vdekjen e Mbretëreshës Elizbeth II.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II.
Krasniqi, në Twitter, shpërndau një fotografi të Lartmadhërisë së saj, me mbishkrimin: “Prehu në paqe, Mbretëreshë Elizabeth II!”.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë një postim në llogarinë e tij në Twitter, duke thënë se “LDK-ja dhe unë bashkohemi me popullin e Mbretërisë së Bashkuar dhe në mbarë Komonuelthin Britanik në zi për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II”.
Tutje ai shtoi se mbretëresha ishte një frymëzim dhe një shtyllë për botën perëndimore; duke shërbyer me guxim dhe dhembshuri.
“Lutjet tona janë me Familjen Mbretërore”, u shpreh Abdixhiku.
Ndërsa, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke shprehur ngushëllime popullit të Britanisë, ka vlerësuar kontributin e saj dhe të Britanisë së Madhe për lirinë e pavarësinë e Kosovës.
“Mbretit Charles III, popullit të Mbretërisë së Bashkuar dhe shteteve të Commonwealth, iu shprehim ngushëllimet më të përzemërta, për humbjen e Mbretëreshës Elizabeth II.
Populli i Kosovës, gjithmonë falënderues për kontributin e saj dhe të Britanisë së Madhe për lirinë e pavarësinë e Kosovës.
U prehtë në paqe!”, ka shkruar Haradinaj.
Edhe kryetari i Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Mbretëreshës Elizabetë.
“Londra e gjallë është ndalur për një moment. Mbretëresha Elizabeth II paska vdekur. Ngushëllimet e mia më të sinqerta popullit britanik!”,ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Mbretëresha Elizabetë ka ndërruar jetë sot në moshën 96 vjeçare. /Telegrafi/