Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë një thirrje urgjente ndaj Qeverisë Kurti për të marrë masa kundër rrezikut të qenve endacakë.
Reagimi i saj vjen pas lajmit tragjik se një grua në Podujevë ka humbur jetën nga një sulm në zemër, pasi u frikësua teksa ndiqej nga qentë endacakë.
Bajrami e cilëson këtë situatë të papranueshme dhe kërkon reagim të menjëhershëm institucional.
Ajo thekson se pas 26 vitesh nga lufta, është e turpshme që qytetarët ende rrezikojnë jetën nga problemet e pazgjidhura si ky.
Ajo i bën thirrje kryeministrit në detyrë që të thërrasë urgjentisht në takim Asociacionin e Komunave dhe të sigurojë fonde për një strategji të përbashkët e efektive për trajtimin e qenve endacakë në nivel shtetëror.
“Kjo situatë nuk mund të lihet pas dore. Nevojiten veprime konkrete dhe të menjëhershme, jo vetëm deklarata. Nëse institucionet nuk mund të garantojnë sigurinë e qytetarëve, atëherë cili është qëllimi i tyre?”, thekson ajo.
Në fund, Bajrami shpreh ngushëllimet e saj për familjen e viktimës nga Podujeva./Telegrafi/