Telegrafi

Vdekja e blogeres së njohur kineze, ish-bashkëshorti e spërkati me benzinë dhe i vuri flakën – gjithçka transmetohej live  

Blogerja e njohur kineze e njohur si Lamu ka ndërruar jetë, pasi ish-bashkëshorti e spërkati me benzinë dhe në fund i vuri zjarrin derisa ajo po filmonte gjithçka drejtpërdrejtë.

Në videon e fundit të publikuar më 14 shtator, pak orë para vrasjes, 30-vjeçarja po këndonte një këngë tradicionale të Tibetit, transmeton Telegrafi.

Disa orë më vonë po të njëjtën ditë gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, në mënyrë të befasishme i tërë ekrani është bërë i zi dhe janë dëgjuar britma.

Ish-bashkëshorti i saj ishte futur në shtëpi duke e mbajtur një kovë me benzinë dhe shkrepsë. Ai menjëherë iu vërsul para familjarëve të saj dhe fansave që po e ndiqnin live, kur ndodhi tmerri.

Dy ditë më vonë, motra e saj ka zbuluar detaje të sulmit të tmerrshëm. E fansat e saj kanë dhuruar të holla për shërimin e Lamus.

Ajo kishte pësuar djegie në 90 për qind të trupit, e mjekët kishin luftuar për ta shpëtuar për dy javë – por pa ndonjë rezultat. Ajo ka ndërruar jetë në spital.

Në anën tjetër policia kineze ka njoftuar se ka arrestuar ish-bashkëshortin e saj, e deri më tani nuk dihen motivet e këtij krimi.

Mediat lokale raportojnë se bëhet fjalë për hakmarrje, sepse Lamuja kishte parashtruar kërkesën për shkurorëzim për shkak të dhunës së vazhdueshme që e praktikonte partneri i saj. Megjithatë, policia ende nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë.

Lamu ishte blogerje e njohur nga Tibeti, në rrjetin social Diyen kishte mbi 780 mijë ndjekës. Jetonte në Aba në provincën Sichuan në jugperëndim të Kinës, ku zakonisht mundohej të filmonte pjesë të këtij vendi për të treguar jetën që zhvillohet në këtë zonën rurale të Kinës. Ajo ka lënë dy fëmijë. /Telegrafi/