Futbollisti italian, Davide Astori, ka ndërruar jetë të dielën në moshë 31-vjeçare duke lënë pas gruan Francesca Fioretti dhe vajzën dyvjeçare, Vittoria.
Një tragjedi që askush nuk e kishte pritur. Vdekja e Davide Astorit ka lënë në zi gjithë futbollin italian, si edhe të gjitha ata që e kanë njohur. Kapiteni i Fiorentinas është gjetur i vdekur në një dhomë hoteli në Udine.
Familja e tij e në veçanti partnerja Francesca Fioretti, kanë marrë ngushëllime të shumta nga bashkëlojtarët dhe nga të gjithë ata që e kanë njohur të ndjerin.
Kush është Francesca Fioretti
Francesca Fioretti ka lindur në vitin 1985 në Maddaloni në provincën Caserta. Edhe pse është angazhuar në programe të ndryshme televizive dhe ka qenë pjesëmarrëse në versionin italian të ‘Big Brother’, ajo gjithmonë ka qëndruar me këmbë në tokë duke bërë një jetë të baraspeshuar mes përpjekjeve për t’i arritur objektivat personale. Ajo ka diplomuar në Administrim Biznesi, ndërsa te publiku i gjerë u bë e njohur falë dukjes së saj dhe thjeshtësisë që e ka karakterizuar gjithmonë.
Në vitin 2009, ajo ishte pjesëmarrëse në Grande Fratello (‘Big Brother’ italian), ku u eliminua në gjysmëfinale. Francesca u përfshi në këtë shou real televiziv, pasi kishte përfunduar një lidhje trevjeçare dashurie dhe dëshironte një fillim të ri, si dhe të përjetonte një përvojë të re.
Pjesëmarrja në këtë shou televiziv i mundësoi që të depërtonte në botën e modës, ndërsa në të njëjtën kohë filloi të studionte edhe aktrimin në Romë. Më pas, në vitin 2013 u përfshi edhe në shoun tjetër televiziv, Pechino Express, ku u rendit e dyta.
Dashuria mes Francescas dhe Astorit
Jeta e re e Francescas realisht nisi në vitin 2013, kur u fejua me futbollistin Davide Astori. Një dashuri që lindi rastësisht, pasi çifti ishte njohur gjatë një takimi në festën e ditëlindjes të një miku të përbashkët.
Fioretti sapo ishte kthyer nga një udhëtim në Vietnam, ndërsa Astori ishte pasionant për udhëtimet dhe në këtë mënyrë kishin një temë të përbashkët për të folur, kurse më pas nisi të lulëzojë dashuria. Një dashuri e madhe e bazuar në thjeshtësi, sinqeritet dhe qetësi, e një çifti që gjithmonë janë shfaqur të lumtur në paraqitjet e tyre, si edhe në postimet në rrjetet sociale, ku i publikonin çastet e bukura të përditshmërisë së tyre.
Lindja e Vittorias
Dashuria ndërmjet Francescas dhe Davidit kulmoi me lindjen e vajzës së tyre më 18 shkurt të vitit 2016. Meqenëse e donte marrëzisht vajzën e saj, Francesca vendosi ta linte anash karrierën e saj për t’iu përkushtuar krejtësisht Vittorias duke u tërhequr nga bota e ekranit. /Telegrafi/