Telegrafi

Vdekja e 71 vjeçarit duke punuar – Ahmeti thotë se mungojnë inspektorët e punës

Kryetari  i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka shprehur shqetësimin e tij për vdekjen e 71 vjeçarit me inicialet R.S, i cili vdiq në vend të punës duke rrëshqitur nga shkallët e punës në një depo.

“71 vjeçari me inicialet R.S. humbi jetën në vend pune duke rrëshqitur nga shkallët e punës në një depo. Mediat shpejtë lajmëruan që ai ishte pa kontratë. Por pyetjet për shoqërinë tonë janë më të gjëra. Pse një 71 vjeçar duhet të punojë në depo? Pse duhet të punojë punë të rrezikshme? Pse nuk ka mbrojtje?”, ka pyetur Ahmeti.

Ai ka theksuar se punëtorët në Kosovë po punojnë pa kontrata pune dhe me pagë shumë të ulët.

“Ndoshta ky rast ishte thjeshtë një aksident, por në Kosovë nuk janë të rralla vdekjet në vend pune. E edhe më të shpeshta punët pa kontrata. Edhe më të shpeshta vendet e punës me pagë super minimale”, tha ai.

Ahmeti konsideron se ka pak inspektorë të cilët do të mund të verifikonin çështjet e kontratave e të drejtat e punëtorëve…

“Me 30 e ca inspektorë nuk mund të inspektohen as për së afërmi të drejtat e punëtorëve në krejt Kosovën. Zgjidhje ka, por nevojitet vullnet dhe gatishmëri për të ndryshuar prioritetet. Duhet të luftojmë për punë e jetë të dinjitetshme për çdo ditë”, tha Ahmeti. /Telegrafi