Telegrafi

Vdekja e 50 vjeçarit nga zjarri, Hyseni: Një tragjedi e rëndë na goditi sot, ngushëllime familjarëve

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni ka reaguar pasi një 50 vjeçar ka humbur jetën pasi banesa e tij u përfshi zjarri.

Hyseni ka ngushëlluar familjen e të ndjerit, duke thënë se tragjedia e rëndë i ka goditur të gjithë, transmeton Telegrafi.

“Një tragjedi e rëndë na ka goditur sot. Një 50-vjeçar humbi jetën sot në një aksident zjarri, duke lënë zbrazëti të madhe në zemrat e familjes, por edhe gjithë miqve e bashkëqytetarëve. Njësitet e zjarrfikësve dhe policia e qytetit me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku dhe kanë bërë evakuimin e të gjithë banorëve nga ndërtesa, për çështje sigurie. Shpresojmë që tragjeditë e tilla të mos përsëriten kurrë. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes dhe të gjithë atyre që e njohën të ndjerin”, thuhet në reagimin e tij.

Lexo po ashtu Përfshihet nga zjarri një banesë në Gjilan, Policia gjen një person pa shenja jete

Ndryshe, Policia e Kosovës konfirmoi sot se një banesë në Gjilan është përfshirë nga zjarri, dhe se brenda saj një person është gjetur pa shenja jete.

“Janë angazhuar njësitet patrulluese. Njësitet e zjarrfikësve me urgjencë kanë dalë në vend të ngjarjes. Janë evakuuar të gjithë banorët e banesave për rreth për çështje sigurie. Hetuesit rajonalë kanë dalë në vendin e ngjarjes bashkë me prokurorin e shtetit. Nga hetimet e para njoftohet se në banesë është gjetur një person pa shenja jete i gjinisë mashkullore rreth 50 vjeç”, ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit. /Telegrafi/