Site icon Telegrafi

Vazhdon ulja e çmimit të naftës së papërpunuar, shkak Coronavirusi

Epidemia e Coronavirusit e ka çuar çmimin e naftës së papërpunuar në nivelin më të ulët në 31 muajt e fundit, pikërisht në javën kur investitorët presin takimin e rëndësishëm të OPEC-ut që do të mbahet në Vjenë.

Standardi ndërkombëtar i naftës së papërpunuar Brent ra shumë poshtë në 48.40 dollarë për fuçi të hënën për të shënuar nivelin e tij më të ulët që nga 24 korriku 2017.

Ndërsa ky ishte niveli më i ulët në dy vjet e shtatë muaj, kjo gjithashtu ishte një rënie prej 32.5 për qind që nga 8 janari i vitit 2020 kur Brent arriti në 71.75 dollarë për fuçi për shkak të tensionit në rritje midis SHBA-së dhe Iranit në Lindjen e Mesme që kërcënoi furnizimin e sigurt me naftë të rajonit.

Coronavirusi i cili u shfaq në Kinë dhe u përhap shpejt në të gjithë botën, ka shkaktuar dobësimin e aktiviteteve ekonomike në Azi dhe uljen e kërkesës së naftës në të gjithë botën.

Nafta e papërpunuar Brent të premten e kaluar u mbyll me 50.52 dollarë për fuçi, pasi filloi javën me 57.85 dollarë për fuçi të hënën e kaluar, duke shënuar një rënie javore prej 12.6 për qind, rënia më e madhe javore që nga janari 2016. /ATSH/

Exit mobile version