Telegrafi

Vazhdon tradita për subvencionimin e të korrurave

Blerand Stavileci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MPBZHR), është shprehur se edhe këtë vit do të ketë subvencionim për korrje-shirjet, pasi kjo është bërë traditë.

Stavileci nuk ka treguar se sa mund të jetë subvencionimi për këtë vit, për të korrurat që do të nisin në muajin korrik, pasi janë në fazën e konsultimeve me të gjithë pjesëmarrësit institucionalë, por ka premtuar se edhe këtë vit do të përkrahen të korrurat.

Sipas tij, në vitin e kaluar ka qenë mbi 36 për qind subvencionimi për kombajnerët, por këtë vit ai ka thënë se do të shikohet mundësia që të ketë më shumë rritje.

“Ne gjithherë po shikojmë se cilat janë format më të mira për t’i përkrahur bujqit, në mënyrë që ata të jenë më të kënaqur”, ka theksuar ai.

Sipas tij, edhe këtë vit do të përkrahet bujqësia me projekte të tjera zhvillimore. Ai ka falënderuar Federatën Sindikale të Bujqve të Kosovës (FSBK) për bashkëpunim.

“Ky bashkëpunim mund të jetë i përjetshëm në proceset tona të përbashkëta. Unë u kam thënë atyre se qëllimet e ministrisë nuk mund të shihen si të ndara, por janë të mira dhe të shëndosha, e që kanë një emërues të përbashkët, zhvillimin e sektorit të bujqësisë”, ka thënë ai.

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës (FSBK), Tahir Tahiri, ka kërkuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë edhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), që të ketë subvencionim me 50 për qind për kombajnerët dhe për bujqit, pasi, sipas tij, në këtë mënyrë do të përkrahet bujqësia në vend.

“Ne kemi pasur kontakte me ministrin dhe besojmë se së bashku do të kemi rezultate që mund të jenë të kënaqshme për bujqit, por më e mira është që të subvencionohen edhe bujqit, deri në 50 për qind”, ka thënë ai, duke shtuar se në vitin e kaluar ka pasur subvencionim vetëm për kombajnerët, e cila ka qenë një ndihmesë, por, sipas tij, do të ishte mirë që të ketë përkrahje direkt edhe për bujqit.

Qeveria e Kosovës në vitin e kaluar ka subvencionuar me 36 për qind kombajnerët për derivatet e naftës. (Epoka)