Tv21 bën të ditur se provimi ekstern i gjuhës të huaj në maturën shtetërore sot është realizuar pa probleme në të gjitha shkollat e mesme, transmeton Telegrafi Maqedoni.
“Materiali deri te të gjitha shkollat është dorëzuar në kohë dhe provimet u realizuan në pajtueshmëri të rregullave dhe procedurave të caktuara”, informoi Qendra Shtetërore e Provimit.
Pjesa më e madhe e maturantëve edhe këtë vit janë paraqitur për provimin e gjuhës angleze (15.353), për provimin e gjuhës gjermane 197 nxënës, gjuhës frenge 114 dhe për provimin e gjuhës ruse 32 kandidatë.
QSHP në kumtesë thekson se në procesin e realizimit të maturës nëpër shkolla kanë qenë të angazhuar rreth 1400 mësimdhënës – testues dhe 200 mbikëqyrës.
Nga dhënia e sivjetme e maturës shtetërore në sesionin e qershorit mbetet edhe një provim – më 15 qershor për lëndët: filozofi, biznes, fizikë, kimi, histori, biologji dhe estetikë./Telegrafi/