Ka vazhduar me tensione rigjykimi për rastin e njohur si “Çekiçi”, ku Gëzim Retkoceri akuzohet se, më 29 prill të vitit 2009, e kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Naim Hajrizin.
Në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi i akuzuari Retkoceri në fjalën e tij hyrëse ka deklaruar se dëshiron vetëm drejtësi, ka pasur reagime nga familjarët e të ndjerit Hajrizi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Ska drejtësi që 12 vite, që 12 vite mos me pas fakte, ky e ka myt, unë betona kudo që ky e ka myt, nëse nuk del kjo e vërtetë unë marr dënim me vdekje… un jam një njeri shumë i vendosur që ky e ka marrë, ky e ka myt”, ka qenë reagimi i të dëmtuarit Halim Hajrizi.
Ndryshe, në këtë seancë i akuzuari Retkoceri, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores speciale Fikrije Fejzullahu, për të tretën herë është deklaruar i pafajshëm.
“E kundërshtoj komplet aktakuzën, nuk e ndjej veten fajtor për asnjë pikë të aktakuzës”, ka thënë i akuzuari Retkoceri.
Prokurorja Fejzullahu, në fjalën hyrëse, ka deklaruar se gjendja faktike e vërtetuar gjatë shqyrtimit gjyqësor është e mbështetur jo vetëm nga provat e siguruara gjatë fazës hetimore, por edhe dëshmitë e dëshmitarëve të dhëna në shqyrtim gjyqësor, si dhe nga dëshmia e tashmë të dënuarit në këtë rast Osman Spahiu.
E njëjta ka mbetur në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhënë në gjykimin e mëparshëm.
Deklarimet e saj i ka përkrahur edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Berat Tmava, i cili ka thënë se do të vërtetohet fajësia e Retkocerit.
Mirëpo, mbrojtësja e të akuzuarit Retkoceri, avokatja Kosovare Kelmendi ka thënë se ky rast maratonik i cili po trajtohet për herë të tretë nga gjykata e shkallës së parë dhe që 12 vite, ishte si pasojë e hetimit “shkel e shko”, jo të drejtë dhe jo profesional të organeve të ndjekjes.
“Kjo pasojë me të cilën sot po ballafaqohemi është shkaku, arsyeja dhe baza kryesore për të cilën gjykata e Apelit, e kthen këtë çështje në rigjykim”, ka thënë avokatja Kelmendi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas saj, në këtë çështje penale fillimisht kishin qenë të përfshirë katër persona të dyshuar, pastaj gradualisht kishin mbetur vetëm dy, ndërsa pas 12 vitesh me këtë aktakuzë po përballet vetëm një person, por që sipas avokates Kelmendi, sipas PSRK-së Retkoceri nuk ishte i vetmi i dyshuar duke u bazuar në mbrojtjen e tashmë të dënuarit për këtë rast Osman Spahiu, e që sipas Kelmendit, kjo ishte njëra ndër vërejtjet e Apelit.
“Dyshoj se gjatë këtij rigjykimi, jam e bindur se prokuroria do të dështojë sikurse gjer me tani të japë përgjigjet, argumentet dhe ato ti mbështes në prova, përtej çdo dyshimi të bazuar, e që do të mund të bindnin çdo vëzhgues se ky dispozitiv i aktakuzës në raport me Retkocerin do të mund të vërtetohet”, ka thënë Kelmendi.
Sipas saj, nuk do të arrihet të vërtetohet kur dhe ku ishte kryer vrasja, a kishte ekzistuar marrëveshjes mes të akuzuarit Retkoceri dhe personit të sajuar nga i akuzuari Spahiu me nofkën “Qeli” dhe se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të krijohen dilema të mëdha se a do ti besohet dëshmisë së të dënuarit Spahiu, me të cilën dëshmi sipas Kelmendit, prokuroria do të mundohet të mbajë “në këmbë”, këtë aktakuzë.
“Ju trup gjykues në asnjë mënyrë nuk do të arrini të bindeni dhe të vërtetoni se cilat kanë qenë veprimet e të akuzuarit Retkoceri, e cilat të personit “Qeli”, sepse prokuroria nuk do të arrijë ti përshkruaj ato, pasi nuk ka ku ti bazojë. Do të bindeni se në shkresat e lendes kemi një mori provash të papranueshme dhe kur përfundimisht do ti analizoni të gjitha këto, pavarësisht përshtypjeve të juaja, juve iu imponohet një aktgjykim tjetër nga ai që kemi parë deri me tani, sepse në asnjë mënyrë nuk do të mund ti shmangeni parimit “in dupio proreo””, ka thënë avokatja Kelmendi.
Për shkak të angazhimeve të trupit gjykues, të udhëhequr nga gjykatësi Vesel Ismaili, kjo seancë është ndërprerë, ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet me 26 shkurt 2021, në ora 09:00.
Ndryshe, Retkoceri akuzohet se më 29 prill të vitit 2009, së bashku me një person të panjohur me nofkën “Qeli”, e kishin privuar nga jeta tani të ndjerin Naim Hajrizin, ashtu që pas rrëmbimit të ndjerin e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart, e ku më pas viktimës ia kishin djegur trupin me qëllim të fshehjes së gjurmëve.
Në këtë rast i akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje ishte edhe Osman Spahiu, por pas ricilësimit të aktakuzës në fjalën përfundimtare të shqyrtimit të kaluar gjyqësor nga ana e prokurores Fikrije fejzullahu, Spahiu ishte akuzuar për dhënien e ndihmës në kryerjen e kësaj vepre penale, për çka edhe e kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 10 vjet burgim.
Ndërkaq, Retkoceri ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje pre 30 vitesh.
Aktgjykimi në këtë rast ishte shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 janar 2020, por që kundër këtij aktgjykimi ishte ushtruar ankesë nga mbrojtja dhe prokuroria.
Lidhur me këto ankesa, kolegji i Apeli kishte mbajtur seancën më 15 korrik 2020. Pas shqyrtimit të ankesave, kolegji i përbërë nga gjyqtarët, Tonka Berishaj, Driton Muharremi dhe Vaton Durguti, ka vendosur që të aprovojë si të bazuar ankesën e mbrojtëses së të akuzuarit Retkoceri, avokates Kosovare Kelmendi kurse ankesat e prokurorisë dhe palës së dëmtuar i ka vlerësuar si jo lëndore tani për tani.
“Gjykata e Apelit më vëmendje ka shqyrtuar aktgjykimin e shkallës së parë, ankesën e mbrojtëses të të akuzuarit si dhe shkresat e lëndës dhe vlerëson se përsëri aktgjykimi i shkallës së parë në këtë rast penal është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale si dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike” – thuhej në aktgjykimin e Apelit.
Sipas aktgjykimit të Apelit, duke qenë se kjo lëndë edhe njëherë tjetër ishte kthyer në rigjykim në shkallën e parë, kjo e fundit, sipas Apelit, në masë të madhe nuk i kishte përfillur udhëzimet e dhëna nga gjykata e shkallës së dytë.
Sipas vlerësimit të Apelit, shkalla e parë nuk ka dhënë arsye për faktet vendimtare duke pas kundërthënie në mes dispozitivit dhe aktgjykimit si pasojë e mos arsyetimit të secilës provë veç e veç dhe duke mos i ndërlidhur me njëra tjetrën për të ardhur deri te një gjendje faktike e drejtë dhe e plotë.
Sipas Apelit, shkalla e parë nuk analizuar dhe vlerësuar provat si të vetme se çka vërtetojnë dhe të gjitha provat e ndërlidhura me njëra tjetrën çfarë gjendje faktike vërtetojnë. Po ashtu, sipas aktgjykimit të Apelit, shkalla e parë nuk ka specifikuar veprimet inkriminuese të secilit të akuzuar në raport me kryerjen e eventuale të vrasjes.
Siç thuhet në aktgjykimin e Apelit, nuk janë dhënë arsye në aktgjykimin e shkallës së parë se ku janë marrë njollat e gjakut të cilave iu është bërë profili i ADN-së dhe të cilat rezultuan se i takojnë tani të ndjerit Naim Hajrizi. Pastaj, nuk është sqaruar çështja e gjetje së bykut të drurit dhe nuk është sqaruar çështja e çekiçit gjegjësisht si ka arritur i njëjti në gjykatë dhe cila është rëndësia e të njëjtit në këtë çështje penale.
“Këto udhëzime të Gjykatës së Apelit edhe pse të detyrueshme për gjykatën e shkallës së parë nuk janë përfillur dhe të njëjtat kanë pasur edhe në aktgjykimin tjetër i cili është objekti i vlerësimit tani nga kolegji i kësaj gjykate”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.
Në fund, Apeli thekson se gjykata e shkallës së parë ka lirinë e veprimit rreth vlerësimit të provave ndërsa Gjykata e Apelit vetëm bën rivlerësimin e provave dhe nëse gjen gabime, vetëm në raste të jashtëzakonshme bën administrimin e provave me hapjen e shqyrtimit në shkallë të dytë. Në rastin konkret, Apeli thekson se ka gjetur se përshkrimi faktik nuk është bërë si duhet në aktgjykim dhe se arsyetimi është i pamjaftueshëm.
Ndryshe, ky rast ishte kthyer edhe më herët në rigjykim nga Gjykata e Apelit, më 4 maj 2016. Apeli kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 7 korrik 2015, dy të akuzuarit për vrasjen e Naim Hajrizit, Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu i kishte dënuar me nga 30 vjet burgim.
Me rastin e kthimit në rigjykim, Gjykata e Apelit, kishte konstatuar se Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shkelur dispozitat e procedurës penale dhe se dispozitivi i aktgjykimit nuk ishte hartuar ashtu siç parashihet me Kodin e Procedurës Penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Retkocerin po e akuzon se më 29 prill të vitit 2009, me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore, së bashku me një person të panjohur me nofkën “Qeli”, e kishin rrëmbyer tani të ndjerin Naim Hajrizin, me qëllim që ta privojnë nga jeta.
Sipas aktakuzës, tani të ndjerin Hajrizi e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart, e kishin vrarë tani të ndjerin, pastaj e kishin dërguar në një lokacion ndërmjet fshatit Smallushë dhe Dobratin dhe për të fshehur gjurmët, e kishin djegur trupin e tij.