Ndërkohë që është tepër i angazhuar me koncertet e tij, si brenda dhe jashtë vendit, Alban Skënderaj po përgatitet gjithashtu të ulet në karrigen më emocionuese në Shqipëri, në atë të “The Voice Of Albania” që starton më 27 janar në ekranin e Top Channel.
Viti që shkoi rezultoi tepër i suksesshëm për artistin e talentuar, i cili përveç projekteve të shumta muzikore që publikoi, ishte ndër artistët që fitoi më shumë çmime në ceremoninë e “Top Music Awards”, përfshi edhe njërin prej më të rëndësishmëve, “Achievement Award”.
Një ndër këngët që korri një sukses të jashtëzakonshëm që në momentin që doli në treg është “Duart Lart”, një këngë që për 27 javë ka mundur t’i rezistojë konkurrencës, duke u pozicionuar në vendet më të rëndësishme të Top Listës. Gjatë kësaj jave, “Duart Lart” është ngjitur me 4 pozicione, duke u renditur në vendin e 36-të.
Albani është gjithashtu pjesë e klasifikimit të 50 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare me këngën “Engjëll”, e cila po ashtu ka 27 javë që qëndron në “The Top List” dhe është pozicionuar në majat e klasifikimit. /TCH/