Telegrafi

Vazhdon shuarja e zjarrit në Malin e Zi të Shkupit, angazhohen aeroplanë të DMSH-së

Foto: Agjencia Informative e Maqedonisë

Shuarja e zjarrit që dje shpërtheu në Malin e Zi të Shkupit (malet e Karadakut), ka vazhduar edhe sot. Ekipet e zjarrfikësve të Bashkisë së Shkupit janë në terren nga mesnata, ndërsa nga orët e mëngjesit janë angazhuar edhe aeroplanë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Zjarri ka kapluar pyje të ulëta në rreth 1400 metra mbi nivelin e detit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Lexo po ashtu Zjarr në Malin e Zi të Shkupit, është intervenuar edhe me aeroplan

Komandanti i Brigadës Zjarrfikëse të Bashkisë së Shkupit Vladimir Simonovski, për AIM deklaroi se zjarri i cili është aktiv që dje në orën 13:15 minuta pothuajse është shuar, mbetet edhe në pjesë e terrenit pak të vështirë për të vepruar për të cilën sot në mëngjes është angazhuar edhe flota ajrore e DMSH-së.

Nga Qendra për Menaxhimin me Krizat, mbrëmë informojnë se, ekipet zjarrfikëse të Bashkisë së Shkupit intervenuan në shuarjen e zjarrit në Karadakun e Shkupit, në vendin e quajtur “Vlajingrob”, por për shkak të erës dhe terrenit të vështirë shuarja e zjarrit u vështirësua.

Zjarri shpërtheu në vendin “Guri i Zi”, përgjatë Likovës, Karadakut të Shkupit dhe fshatit Matejç.