Site icon Telegrafi

Vazhdon shqyrtimi i aplikacioneve nga diaspora, KQZ: Jemi brenda afateve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) gjatë gjithë ditës së premte, ka vazhduar punën për të shqyrtuar të gjitha aplikacionet për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë  se deri në përfundim të afatit për aplikim, numri i votuesve të konfirmuar ishte 90 mijë e 860 dhe në pritje ishin edhe 18 mijë e 244 aplikues.

“Gjatë periudhës së aplikimit (29 gusht – 26 dhjetor 2024) për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës për të votuar në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, numri i shtetasve që janë regjistruar është 90,860, ndërkaq në momentin e përfundimit të periudhës në pritje për shqyrtim ishin 18,244 kërkesa, proces i cili është duke vazhduar. KQZ është brenda afateve të përcaktuara dhe pasi të përmbyllet shqyrtimi i çdo aplikimi të pranuar, do të kemi një raport përfundimtar për numrin e shtetasve të regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, të ndarë sipas mënyrës së votimit dhe sipas shteteve”, tha Elezi, për KP.

Lexo po ashtu Përfundon periudha 120 ditore për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës - sa ishte interesimi i diasporës për të votuar?

Sipas të dhënave të KQZ-së, gjatë periudhës së aplikimit (13 janar – 21 janar 2021) për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës për të votuar në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 14 shkurt 2021, numri i aplikacioneve që janë pranuar dhe proceduar nga KQZ ka qenë 130 mijë e 168 aplikacione.

Pas vlerësimit të këtyre aplikacioneve, del se numri i të regjistruarve për votim jashtë Kosovës ishte 102 mijë e 465 persona, të cilët kishin fituar të drejtën për të votuar përmes postës duke dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Gjatë periudhës së votimit përmes postës (2 shkurt – 12 shkurt 2021), nga numri i përgjithshëm prej 102 mijë e 465 votuesish të regjistruar, pakot me fletëvotime kanë arritur që t’i dërgojnë rreth 57 mijë e 065 votues apo 55.69% e të regjistruarve. /Telegrafi/

Exit mobile version