Telegrafi

Vazhdon seria e fitoreve të Juves, nuk i shkëputet Napolit (Video)

(Foto: Twitter/Juventus)

Juventusi ka arkëtuar pikë të plota në fitoren e vështirë si mysafir i Cagliarit, në të cilën arriti të shënojë vetëm një gol.

Mysafirët e goditën dy herë shtyllën në gjysmën e parë. Në minutën e nëntë, Paulo Dybala e goditi transversalen nga gjuajtja e lirë.

(Foto: Twitter/Juventus)

Dhjetë minuta më vonë, Federico Bernardeschi ishte fantastik me një gjuajtje nga e djathta, mirëpo topi e goditi vetëm shtyllën.

Kur po zhvillohej minuta e 23-të, Mehdi Benatia arriti ta futë topin në rrjetë, mirëpo goli u anulua për pozitë jashtë loje.

(Foto: Getty Images)

Raste të mira shënimi parën edhe vendasit. Leonardo Pavoletti bëri një goditje fantastike me kokë, por Wojciech Szczesny intervenoi për mrekulli.

(Foto: Getty Images)

Në fund të pjesës së parë ka mundur të shënojë Diego Farias, mirëpo topi u përplas vetëm në shtyllë.

Rastet vazhduan edhe në fraksionin e dytë të lojës, ndërsa rezultati u zhbllokua në minutën e 75-të.

Douglas Costa u angazhua në krah dhe harkoi ulët në zonë. Aty ishte Federico Bernardeschi për ta futur topin në rrjetë.

Në vazhdim pati një moment dyshimi për prekje të topit me dorë në zonën e Bianconerëve, mirëpo pasi e konsultoi VAR-in, gjyqtari vendosi se nuk ishte penallti.

Me këtë fitore, Juventusi numëron 50 pikë dhe mban vendin e dytë në tabelë, me një pikë më pak se lideri Napoli.

(Foto: Twitter/Juventus)

Cagliari qëndron në kuotën e 20-të pikëve dhe pozicionohet në vend të 16-të në tabelë. Zona e rrezikut është vetëm pesë pikë larg.

Në xhiron e ardhshme, pas pushimit (më 22 janar), Zonja e Vjetër luan kundër Genoas. /Telegrafi/