Telegrafi

Vazhdon protesta kundër KEK-ut

Hedhja e rreth 50 poçeve elektrik dhe brohoritjet, sipas tyre janë përkujtim për KEK-un dhe të gjitha institucionet e ndërlidhura, që qytetarët mbesin përpara dyerve të kësaj korporate duke pritur përgjigje.

Në një komunikatë për media nga grupi i qytetarëve protestues, thuhet se ndaj qytetarëve kanë vazhduar shkyçjet me gjithë paralajmërimet që një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Kjo është raportuar edhe nga protestuesit e pranishëm.

Nga qytetarët e pranishëm sot në protestë përsëri është kërkuar që me protesta të vazhdohet çdo ditë deri në përmbushjen e kërkesave.

“Andaj edhe njëherë ftojmë sindikatat, grupet e ndryshme shoqërore dhe të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në protesta. Ata qytetarë që nuk kanë mundësi të vijnë në Prishtinë, për të protestuar para selisë qendrore të KEK-ut, le të mblidhen pranë zyrave të KEK-ut nëpër vendbanimet e tyre. Muaji mars po afrohet, faturat e reja me çmimet e çrregullta po vijnë, qytetarët kërkojnë përgjegjësi për fryrjet dhe çrregullimet e faturave”, thuhet në komunikatën për media, transmeton Kosovapress.

Ndryshe, bëhet e ditur se hapat e mëtutjeshëm të protestuesve, do të jenë në përputhje me veprimet e institucioneve dhe KEK-ut rreth çështjes së ngritur. Protesta e sotme si zakonisht do të mbahet para selisë qendrore të KEK-ut nga ora 12:00 në Prishtinë. /Telegrafi/