Me pankarta nëpër duar si “Jo ankand i dhënë para se me dal në shpallje”, “Ju merret të varfërve me ju dhënë milonerave”, po vazhdon protesta e pronarëve të kiosqeve e cila po mbahet në shenjë pakënaqësie për ndërrimin e këtyre kiosqeve me të reja, duke mos diskutuar fare me pronarët dhe kushtet e reja, që janë vënë për ta pasur një kioskë nga Komuna e Prishtinës.
Për këtë problem të paraqitur nga pronarët e kiosqeve në Komunën e Prishtinës është duke u mbajtur mbledhja e Asamblistëve të Kuvendit, ku po diskutohet për vendimin e marr ditë më parë nga komuna.
Në këtë mbledhje po marrin pjesë edhe pronarët e kiosqeve, të cilët janë duke pritur anulimin e këtij vendimi, në një vendim të ri.
Disa nga asamblistët e partive politike janë duke kërkuar anulimin e kritereve si dhe pezullimin e këtij vendimi.
Asamblisti i PDK-së Leutrim Retkoceri, ka kërkuar që të pezullohet vendimi i marr nga komuna.
“Kriteret e vëna, pa dashur ta paragjykoj vendimin e qeverisjes komunale, dua të di se në bazë të cilave arsye janë vendos këto kritere. Kërkoj përgjigjen e pyetjes se në bazë të cilës arsye është vendos kriteri i 5 milion eurove. Në rast se nuk janë në gjendje të përgjigjen në këtë pyetje atëherë kërkoj që vendimi të pezullohet deri në një vendim të ri, për të mirën e të gjithëve. Nuk është përgjigje që ne të vendosim kritere e këtyre të ju themi shkoni gjeni azil se komuna e Prishtinës nuk ju pranon. Kërkojmë si grup që të pezullohet vendimi”, ka thënë ai.
Retkoceri po ashtu tha se duhet të formohet një komision, ku aty duhet të marr pjesë edhe një përfaqësues i protestuesve.
“Duhet të jenë prezent edhe përfaqësues të protestës në komision dhe të ri negociohen kriteret. Në një situatë të tillë duhet të tregohemi të sinqertë të gjithë ne. Ne duhet t’i japim një përgjigje protestuesve, e kjo përgjigje duhet të jetë konkrete. Komisioni të negocioje kriteret dhe të dalin me një vendim të arsyeshëm”, shtoi tutje ai.
Edhe asamblistja e LDK-së, Vlora Dumoshi ka kërkuar pezullimin e këtij procesi.
“Mendoj që duhet të pezullohet komplet ky proces. Si kuvend mund të anulojmë vendimin e 2017 dhe formulimi duhet të jetë shumë i saktë që do të bëhet dhe të votojmë. Kërkoj që kryetaret e grupeve parlamentare të dalin jashtë dhe të diskutojnë për atë se çka do të votojmë”, ka thënë Dumoshi.
Mbledhja e asamblistëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës ende është duke u mbajtur dhe Telegrafi do të ju mbaj të informuar për zhvillimet e fundit. /Telegrafi/