Site icon Telegrafi

Vazhdon përplasja ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe KRM “Pastrimi”, kjo e fundit bën thirrje që qytetarët të paguajnë faturat e mbeturinave

KRM “Pastrimi” sh.a. ka reaguar sërish duke bërë thirrje qytetarëve që të paguajnë faturat e mbeturinave në pikat zyrtare të kësaj kompanie

Në reagimin e tyre thuhet se pezullimi i ndryshimit të rregullores për mbeturinat, i miratuar nga Kuvendi Komunal, nuk mund të bëhet me vendim personal të kryetarit të Komunës, Përparim Rama, transmeton Telegrafi.

“KRM “Pastrimi” sh.a. rikujton të gjithë qytetarët e Prishtinës se, në bazë të vendimit të miratuar nga Kuvendi Komunal, faturimi dhe pagesa për shërbimet e menaxhimit të mbeturinave duhet të kryhet drejtpërdrejt në pikat zyrtare të “Pastrimit”. Ky vendim është në fuqi dhe mbetet plotësisht i zbatueshëm. Dëshirojmë të theksojmë se pezullimi i ndryshimit të rregullores për mbeturinat, i miratuar nga Kuvendi Komunal, nuk mund të bëhet me vendim personal të kryetarit të Komunës, Përparim Rama. Një rekomandim i Zyrës Ligjore të Komunës nuk ka kompetencë ekzekutive mbi vendimet e Kuvendit Komunal, prandaj çdo veprim në kundërshtim me këtë rregullore është i paligjshëm”, thuhet në reagim.

Tutje, reagimi vijon “Apelojmë te qytetarët të mos bien pre e keqinformimit dhe të kryejnë pagesat e tyre vetëm në “Pastrimi” sh.a.. Pagesa e faturave është thelbësore për përmirësimin e shërbimit, garantimin e pagave të punëtorëve dhe krijimin e një mjedisi më të pastër për të gjithë”.

“Mos lejoni që keqmenaxhimi dhe interesat financiare të cenojnë cilësinë e shërbimit publik! Paguani faturën tuaj në “Pastrimi” dhe kontribuoni në një Prishtinë më të pastër dhe më të rregulluar”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu Qytetarët e Prishtinës nga 1 janari nuk janë të obliguar t’i paguajnë faturat e mbeturinave në KRM "Pastrimi"

Ndryshe, Komuna e Prishtinës të mërkurën njoftoi se qytetarët nuk janë të obliguar të paguajnë faturat nga ndërmarrja KRM “Pastrimi”, dhe se tani e tutje pagesat duhet bërë përmes komunës.

“Pas pezullimit të plotësim ndryshimit të rregullores për menaxhimin e mbeturinave njoftojmë të gjithë qytetarët e Komunës së Prishtinës se faturat për grumbullimin e mbeturinave të lëshuara nga Ndërmarrja KRM ‘Pastrimi’ nga data 1 janar 2025 nuk janë të obliguar t’i paguajnë. Nga tani e tutje, pagesat për këtë shërbim duhet të realizohen përmes Komunës së Prishtinës deri në një vendim të ri”, thuhet në njoftimin e komunës së Prishtinës. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version