Telegrafi

Vazhdon përmirësimi i sigurisë dhe shëndetit në punë

Inspektorati i punës së Kosovës, do të përfitojë në shumë segmente nga projekti “Mbështetja Inspektoratit të Punës”, projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe i menaxhuar nga Management & Development Associates (MDA) në partneritet me Zyrën e BE-së në Kosovë.

Në kuadër të projektit sot u mbajt ngjarja mediale ku të pranishmit nga sektori publiko-privat u informuan rreth trendëve të fundit në fushën e marrëdhënieve të punës, sigurisë dhe shëndetit në punë në Kosovë, si dhe rreth projektit “Mbështetje inspektoratit të punës”.

Me këtë projekt po tentohet që të përmirësohet zbatuershmëria ligjore nga ana e punëdhënësve si në fushën e marrëdhënies së punës ashtu edhe në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Projekti, synon po ashtu, të ofrojë ngritje të kapacitetit të inspektorëve të punës në drejtim të zbatushmërisë dhe monitorim më efikas të akteve ligjore e në veçanti të Ligjit të Punës (2010/03-L-212) dhe Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë Nr. 04/L161/2013, hartimit të akteve nënligjore të cilat dalin nga Ligji për siguri dhe shëndet në punë si dhe implementimi i tyre.

“Zbatimi i ligjeve dhe rregulloreve mbetet prioritet kryesor dhe nevojë e domosdoshme për përmirësimin e kushteve të ambientit të punës të punonjësve. Kjo do të sigurohet nëpërmjet parandalimit të risqeve në punë, eliminimit të faktorëve të risqeve dhe aksidenteve, informimit, konsultimit, pjesëmarrjes së akterëve përkatës në këtë fushë në përputhje me legjislacionin përkatës”, thuhet në një njoftim të MDA-së.

MDA ka një përvojë mbi 10 vjeçare në menaxhimin e projekteve dhe fushatave të ndryshme, të realizuara për kompani vendore, të huaja dhe pothuajse për të gjithë donatorët ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë. MDA deri tani ka menaxhuar mbi 200 projekte të ndryshme. Në mesin e klientëve të MDA-së janë: BE, BB, USAID, GiZ, UNDP Kosova, Qeveria e Kosovës, etj. /Telegrafi/