Telegrafi

Vazhdon përkrahja e hortikulturës

Ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, tha se zhvillimi i sektorit të hortikulturës është jetik për zhvillimin e bujqësisë, sepse zhvillimi i tij do të gjeneronte punësim dhe të ardhura të qëndrueshme për të gjithë prodhuesit kosovar.

“Për ngritjen e kapaciteteve të prodhuesve, përkrahje me theks të veçantë për sektorin e hortikulturës ka dhënë edhe Ministria e Bujqësisë, e cila gjatë vitit që lëmë ka mbështetur në shkallën prej 50 për qind ngritjen e rreth 110 serrave moderne dhe rreth 330 fermerë për ngritjen e pemishteve dhe vreshtave të reja. Totali i mjeteve për mbështetjen e këtij sektori tejkalon shumën prej 1.1 milion euro”, theksoi ministri Stavileci.

Ai tha se edhe me ndihmën e organizatave të ndryshme është mbështetur edhe në forma të tjera, vlen të theksohen projektet e USAID-it, projekti i Komisionit Evropian në vlerë prej pesë milionë euro për komponentën e përmirësimit të përpunimit, tregtimit dhe marketingut të produkteve bujqësore dhe të tjera.

Programi “Promovimi i Hortikulturës në Kosovë”, mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Danimarkës. Ky program ka filluar në vitin 2008 dhe deri më tani është implementuar vetëm nga organizata Intercooperation.

Nëpërmjet fondit konkurrues për hortikulturë, në skemën e granteve të programit “Promovimi i Hortikulturës në Kosovë” janë ndarë rreth 620.000 euro për persona dhe kompani kosovare gjatë vitit 2009-2010, me ç’rast janë krijuar rreth 200 vende pune në sektorin e hortikulturës. Mbështetja e përgjithshme e Qeverisë së Zvicrës dhe Danimarkës për këtë sektor, deri në fund të vitit 2010 ka arritur në mbi 10 milionë euro. /Telegrafi/