Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur të zgjasë masën e paraburgimit për dy muaj për pesë të dyshuarit e përfshirë në rastin e vrasjes së Premtim Gashit.
Të dyshuarit Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa dhe Fatos Abazi do të qëndrojnë në paraburgim deri më 2 dhjetor 2024, për secilin veç e veç.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja për informim e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi, e cila bëri të ditur se Gjykata ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve. Sipas vendimit, masa e paraburgimit është zgjatur nga data 2 tetor deri më 2 dhjetor 2024.
Në lidhje me këtë rast, më 11 shtator 2024, është arrestuar edhe Vesel Bunjaku, i dyshuar për manipulim me prova. Edhe ai ndodhet në paraburgim.
Premtim Gashi ishte viktima e një përleshje masive mes dy grupeve, ngjarje kjo e ndodhur më 1 shtator në lagjen Aktash të Prishtinës.
I riu nuk mbijetoi plagët e marra nga konflikti mes “Capave” dhe Sekiraqëve. Gashi ishte pjesë e grupit të njohur si “Capat” dhe kishte ndikim të madh tek ta./Telegrafi/