Telegrafi

Vazhdon operacioni policor në Leposaviq kundër tregtisë së paligjshme

Foto: Ilustrim

Hetimet e krimeve ekonomike në Mitrovicë, nën drejtimin e Prokurorisë Themelore dhe në bashkëpunim me anti-kontrabandën e Doganës së Kosovës, kanë vazhduar me operacionin e nisur më 21 dhjetor 2023 në Leposaviq.

Operacioni i sotëm, më 23 dhjetor 2023, u zhvillua me qëllim të luftimit të veprave të dyshuara penale që lidhen me “Tregti të ndaluar” dhe “Shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”.

Në një inspektim të kryer në depon e një marketi në pronësi të shtetases kosovare G.T., lindur në vitin 1968, janë zbuluar dhe konfiskuar nga autoritetet doganore sasi mallrash ushqimore që përfshijnë pije jo alkoolike dhe artikuj të tjerë ushqimorë të cilët dyshohet se janë të kontrabanduar.

Hetimi dhe trajtimi i rastit janë duke u bërë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dhe Doganën e Kosovës për të përcaktuar mënyrën e veprimit dhe për të siguruar se drejtësia është e zbatueshme sipas ligjit.