Telegrafi

Vazhdon “mallkimi” i spektakleve për talentë, konkurrenti nga America’s Got Talent vdes në aksident (Foto/Video)

Një konkurrent i America’s Got Talent ka humbur jetën në një aksident të tmerrshëm komunikacioni. Brandon Rogers u dërgua me urgjencë në spital të shtunën pas një aksidenti të ndodhur në Maryland, ku ndërroi jetë një ditë më pas – bën të ditur TMZ.

Sipas njoftimeve, ai ndodhej në ulësen e pasagjerit kur vetura me të cilën udhëtonte doli nga rruga. 29-vjeçari, mjek me profesion, ishte njëherësh këngëtar i talentuar dhe pritej të shfaqej në episodin e radhës të America’s Got Talent.

Të rikujtojmë se muzika botërore ka humbur tragjikisht, në moshë shumë të re, emra të cilët me talentin e tyre do t’i shtonin ngjyra dhe jetë tingujve.

Brandon ishte mjek i ri (Instagram)

Këtë fat kishte Christina Grimmie, vajza nga New Jersey, e cila u rendit e treta në spektaklin ‘The Voice’, me mentor Adam Levine. Në hapat e parë të karrierës së saj pasi mbaroi një koncert në Florida, 22-vjeçarja u qëllua me armë nga një person i panjohur. Plagët i kushtuan jetën. Ajo po jepte autografe dhe po i takonte fansat kur personi i armatosur hapi zjarr. As ndihma e parë e vëllait të saj që ndodhej aty pranë nuk e shpëtoi dot Christinan.

Nathaniel O’Brien e mahniti publikun australian në ‘X-Factor’. Vetëm një vit pas eksperiencës në spektakël, O’Brien po zhvillonte koncertet e para dhe pasi mbaroi një performancë, 19-vjeçari u përfshi në një aksident tragjik me automjet.

Ergi Dini e fitoi spektaklin për talentë, ‘X-Factor Albania’ në vitin 2014

Fat i keq edhe për një tjetër djalë, i cili karrierën e nisi në një spektakël për talentë. Martin Morgan nuk arriti dot ta shijonte të plotë eksperiencën në ‘Britain’s Got Talent’. 38-vjeçari kaloi fazën e parë me këngën “Hero” të Enrique Iglesias, por ndërroi jetë nga epilepsia disa ditë më vonë.

Lexo po ashtu Aksidentohet për vdekje fituesi i "X Factor Albania" (Foto)

Ndërsa në nëntorin e kaluar ndërroi jetë këngëtari shqiptar, Ergi Dini, i cili u bë i njohur në vitin 2014 kur e fitoi spektaklin për talentë, ‘X-Factor Albania’. Ai po ndiqte karrierën në muzikë dhe që nga ajo kohë ka publikuar shumë këngë. Ergi (22 vjeç) dhe shoku i tij, Kejdi Halili (21 vjeç) humbën jetën në një aksident fatal me motoçikletë në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. /Telegrafi/