Telegrafi

Vazhdon “lufta” për karrigen e LSM-së, përplasje mes Mitreskit dhe Carovskas

Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Zhivko Mitreski, ka demanton kumtesën e djeshme të ministres për Punë dhe Politikë Sociale, Mila Carovska. Sindikalisti i parë edhe më tej kërkon që Carovksa të japë dorëheqje, sepse, sipas tij, duke e shkarkuar atë nga kreu i LSM-së në të cilin ka qëndruar plot 7 vite, ajo e ka keqpërdorur pozitën dhe autorizimet e saja zyrtare

Mitreski e porositi ministren të mos përzihet në autonominë e sindikatave. Ai pohon se vendimi për shkarkimin e tij është i pavlefshëm, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Kjo është në kundërshti me Konventën e Organizatës Ndërkombëtare të Punës nr. 87 neni 3 dhe 4 për lirinë e organizimit sindikal, ku është theksuar në mënyrë të qartë se organet shtetërore dhe pushtetet tjera nuk guxojnë me asnjë akt të përzihen në lirinë e organizimit sindikal dhe të lirisë së zgjedhjes”, u shpreh Zhivko Mitreski.

Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se akuzat e Zhivko Mitreskit janë të paargumentuara, duke shtuar se ministria fare nuk përzihet në lirinë e organizimit sindikal, por vepron vetëm në bazë të ligjeve të Maqedonisë.

Në organizatën sindikale të Maqedonisë tanimë një kohë të gjatë ka konflikt ndërmjet dy rrymave të afërta me kundërshtarët kryesorë politikë./Telegrafi/