Fikayo Tomori është lojtari i fundit i cili i është bashkuar listës së të lënduarve tek Milani dhe raportimet e fundit sugjerojnë se ai do të jetë jashtë fushave për disa kohë.
Tomori kishte pësuar një lëndim muskulor në kofshën e djathtë, ndërsa në pritje të rezultateve mjekësore, thuhet se lëndimi është më serioz se sa që dukej në plan të parë dhe anglezi mund të jetë jashtë fushave për një muaj ose më shumë.
Në ligë, Tomori ka startuar në 16 ndeshje nga 17 sa i ka luajtur gjithsej, në përjashtim të derbit ku mungoi për shkak të suspendimit.
Për 13 ndeshje rresht në Serie A, Tomori kishte luajtur nga minuta e parë, ndërsa ai ka luajtur gjithashtu edhe në gjashtë ndeshjet në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Tani, me rikthimin e Simon Kjaer, trajneri Pioli duhet të mbështetet tek danezi. Ai kishte pësuar një lëndim muskulor në fund të tetorit, por që iu përsërit në muajin dhjetor.
Kjaer kishte luajtur rreth 60 minuta në ndeshjen ndaj Monzas, ndërsa e nisi nga fillimi atë ndaj Salernitanas.
Në ndeshjen e vikendit në “San Siro” ndaj Sassuolos, qendra e mbrojtjes do të përbëhet nga dy gjenerata: Kjaer, 34 vjeçar dhe Simic, që është 18 vjeçar.
Alternativë tjetër në bankën rezervë me shumë mundësi do të jetë Clinton Nsiala i cili është në të njëjtën moshë me Simic, por me një vit më shumë eksperiencë./Telegrafi/