Telegrafi

Vazhdon Kongresi i jashtëzakonshëm OBRM-PDUKM-së, të pranishëm 411 nga 544 delegatë

Kongresi i jashtëzakonshëm i OBRM-PDUKM-së që filloi sonte në Vallandovë, vazhdon prapa dyerve të mbyllura. Është paralajmëruar zgjedhja e Kryesisë së punës, si dhe fjalim i kryetarit aktual të partisë, Nikolla Gruevski.

Në këtë kongres që do të mbahet sot dhe nesër, të pranishëm janë 411 nga gjithsej 544 delegatë të regjistruar, ka konstatuar Komisioni verifikues i kongresit të jashtëzakonshëm të OBRM-PDUKM-së.

Në rrjedhën e mëtejme të punës së kongresit të jashtëzakonshëm do të prezantohet edhe raport për punën materiale-financiare të partisë në periudhën 2015-2017, si dhe do të prezantohet vetë kandidati për kryetar të ri të OBRM-PDUKM-së. Delegatët do të duhet të zgjedhin edhe Komision për zbatimin e zgjedhjes së kryetarit të partisë, si dhe Komision statutar dhe mbikëqyrës. Në fund është paraparë fjalimi i kryetarit të ri të partisë./Telegrafi/