Inspektorati Komunal në Ferizaj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka konfiskuar sot afro gjysmë ton mish dhe nënprodukte të tij të prishura.
Fillimisht Policia e Kosovës kishte njoftuar Inspektoratin Komunal për një transportues të dyshimtë me ç’rast më pas është konstatuar sasia me mishit të prishur.
Nga Komuna bëjnë të ditur se deri te kapja e mishit erdhi pasi Policia e njoftoi inspektoratin se një mjet transportues po transportonte në mënyrë të dyshimtë mishin.
Inspektorati pasi kishte dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kryer kontrollet, ka konstatuar se mishi ishte i prishur pasi edhe mjeti nuk i përmbushte kushtet.
“Paraditen e sotme, Policia e Kosovës, kanë njoftuar drejtuesit e Inspektoratit Komunal për një mjet transportues i cili po bartte mish dhe nënprodukte të mishit të dyshimta, me ç ‘rast inspektorët e veterinarisë dhe sanitar kanë dal menjëherë në vend të ngjarjes nga ku pas kontrollit të cilësisë së produktit që po bartej me këtë mjet transportues, kanë konstatuar se një sasi prej afro gjysmë toni mish dhe nënprodukte të tij janë të prishura, kjo për faktin se mjeti me të cilin po transportohej kjo sasi mishi nuk përmbushte kushtet e nevojshme higjieno-sanitare për ruajtjen e freskët të mishit dhe nënprodukteve të tij”, thuhet në njoftimin nga Komuna e Ferizajt.
Ndërkaq, ata thonë se pas ekzaminimit të produkteve, mishi ishte konfiskuar dhe më pas është asgjësuar siç kërkon ligji./Telegrafi/