Telegrafi

Vazhdon koalicioni PDK-LDK në Pejë

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka pritur sot në takim kryetarin e degës së PDK-së në Pejë, Xhavit Haliti ku kanë nënshkruar koalicionin për të qeverisur me Komunën e Pejës edhe për katër vjet.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Komuna e Pejës.

PDK gjatë këtij mandati do të udhëheq katër drejtori, ndërkaq LDK-ja dhjetë.

“Në takim është nënshkruar marrëveshja për të qeverisur në Pejë edhe në katër vitet e ardhshme, ku nga kjo marrëveshje LDK do të udhëheqë me dhjetë drejtori, ndërsa PDK do të udhëheqë me katër drejtori”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, thuhet se palët janë zotuar dhe i kanë siguruar qytetarët, që fokusi i bashkëqeverisjes së tyre do të jetë interesi i qytetarëve të Pejës, ashtu siç ka qenë edhe në dy mandatet e kaluara. /Telegrafi/