Komuna e Kumanovës ka punësuar katër maqedonas në vendet e parapara për shqiptarë. Katër të punësuarit kanë deklaruar rrejshëm se i përkasin përkatësisë etnike shqiptare dhe kanë zënë vendet e punës.
Në konkurs ishin paraparë katër shqiptarë në pozitat: shofer, kamerier, pastrues dhe mirëmbajtës. Në vendin e katër shqiptarëve, përmes deklarimit të rrejshëm janë punësuar Nenad Dimovski, Dragan Veliçkovski, Igor Dimitrievski dhe Boban Stojanovski. Çdo vendim për punësim mban firmën e kreut të Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Nga Komuna e Kumanovës na thanë shkurt se për çështjen në fjalë do të përgjigjen ditën e nesërme për shkak të angazhimeve të kreut të Kumanovës, Dimitrievski në seancën e këshillit komunal.
Një rast i ngjashëm me keqpërdorimin e balansuesit dhe përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në Komunën e Kumanovës ndodhi jo më larg se në fillim të muajit maj, kur 8 maqedonas të deklaruar rrejshëm si shqiptarë kapën vendet e punës që sipas sistematizimit ishin paraparë për shqiptarë.
Keqpërdorimi vjen pikërisht në kohën kur Ministria e Drejtësisë po ballafaqohet me pengesat nga ana e Gjykatës Kushtetuese për të përcaktuar detyrimisht përkatësinë kombëtare në dokumentet që burojnë nga Evidenca Amë, përkatësisht në certifikatat e lindjes. Ditë më parë Gjykata Kushtetuese vendosi të ngrijë lëshimin e certifikatave të cilat jepen mbi bazën e udhëzimit që kërkon edhe deklarimin e përkatësisë kombëtare me arsyetimin se publikimi i vendimit në Gazetën Zyrtare është bërë me vonesë dhe bie ndesh me Nenin 52 të Kushtetutës./Alsat/