Site icon Telegrafi

Vazhdon keqpërdorimi i fëmijëve për qëllime politike në Maqedoni (Video)

Në vend që të luajnë në shtëpi, mbrëmë fëmijët luanin në protesta. Prindër, gjyshe dhe gjyshër së bashku me nipërit e tyre morën pjesë në protestat e organizuara nga iniciativa “Për Maqedoni të Përbashkët”. Megjithatë, prania e tyre nuk ishte për shkak të motit të mirë. Motoja kryesore e tubimit ishte “Gjenerata që vjen është për Maqedoninë e Përbashkët”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Sot na u bashkëngjitën shumë prindër dhe fëmijë të tyre, prindër të cilët shqetësohen për shtetin të cilin do t’ua lënë fëmijëve të tyre, prindër të cilët vendosën që shqetësimin ta kthejnë në guxim, ndërsa frikën për ardhmërinë e pasigurt ta kthejnë në vendosmëri për krijimin e së ardhmes”, tha Bogdan Ilievski-Batman.

Nga zyra e Avokatit të Popullit bëjnë thirrje fëmijët mos të dërgohen në protesta, por, nëse, prindërit vendosin ta bëjnë një gjë të tillë – rekomandojnë që ata të kenë shumë kujdes për sigurinë e fëmijëve.

“Kjo është një kategori e ndjeshme qytetarësh, fëmijët të cilët mund të pësojnë një përvojë traumatike dhe negative duke marrë pjesë në protesta, për shkak të zhurmës dhe pranisë së policëve të armatosur”, tha për TV21, Vaska Bajramovska-Mustafa, Zëvendëse e Avokatit të Popullit.

Sot reaguan dhe nga LSDM-ja të cilët thonë se nuk është e lejueshme të miturit të keqpërdoren për interesa partiakë.

“Kjo nuk është e lejueshme. Mendoj se në jetën politike të vendit nuk duhet të përdoren mjete të atilla”, tha Petre Atanasov, LSDM.

Në lidhje me këtë praktikë të përdorimit të fëmijëve për qëllime politike, disa herë kanë reaguar edhe nga ambasada e fëmijëve Megjashi. Sot në mesditë, ata e përsëritën mesazhin e tyre.

“Kur janë jashtë shkollës, përgjegjësinë e kanë prindërit, ndërsa kur ata janë në shkollë, përgjegjësia I takon drejtorit dhe kuadrit edukativo-arsimor. Këta të rinj duhet të jetojnë bashkërisht në Republikën e Maqedonisë dhe të ndërtojnë mirëbesim dhe respekt të ndërsjellë”, tha Dragi Zmijanac, Drejtor ekzekutiv i ambasadës së fëmijëve “Megjashi”.

Në protestat e qytetarëve të cilët kanë dalë për të shprehur pakënaqësinë e tyre, u përfshinë edhe shumë nxënës të shkollave të mesme në Maqedoni. Ata thonë se nga ana e drejtorisë me fletushka atyre u kanë bërë thirrje ta ndërpresin mësimin gjatë protestave të iniciativës Për Maqedoni të Përbashkët. Disa prej tyre thanë se refuzojnë që në të ardhmen të mësojnë shqip. Disa prej prindërve kërkuan përgjegjësi nga drejtori i shkollës, siç ishte rasti në Prilep, i cili mbajti fjalim politik përpara nxënësve të këtij gjimnazi”./Telegrafi/

Exit mobile version