Site icon Telegrafi

Vazhdon “Kapitulli i fundit i 1001 netë” në Emiratet e Bashkuara Arabe

Me rastin e përzgjedhjes si fitues i çmimit “World Book Capital 2019”, autoritetet e Sharjah kanë organizuar shfaqje madhështore teatrale e muzikore, e cila do të zgjasë për pesë ditë me radhë.

Shfaqja “1001 Nights: The Last Chapter” apo “Kapitulli i fundit i 1001 netë” ka filluar të shfaqet prej datës 23 dhe do të vazhdojë deri më 27 Prill.

Përgatitjet për këtë shfaqje kanë zgjatur pothuajse një vit dhe gjithsej 537 artistë të përzgjedhur nga 25 nacionalitete të ndryshme kanë kaluar mbi 500 orë duke u trajnuar për të sjellë në jetë një kryevepër të tillë si shfaqja “1001 Nights: The Last Chapter”.

Ekranet masive që rrethojnë skenën prej 43 metrash, imazhet vizuale të krijuara nga aktorë dhe kërcimtarë të veshur me kostumet antike dhe një koreografi e përkryer e përcjellur nga një orkestër profesionale deri tani kanë mahnitur audiencën e njëkohësisht ka bërë të pranishmit të hyjnë në botën e vjetër të tregimeve “Një mijë e një natë” dhe të përjetojnë magjinë e tyre në një formë plotësisht ndryshe nga libri.

Inspiruar nga epoka legjendare e botës arabe dhe antologjia e përrallave popullore, shfaqja sjellë në jetë mbretëreshën e famshme Shehrazade për t’i treguar historinë e fundit mbretit të saj.

Tregimi ndryshon nga historitë e zakonshme që ajo ka treguar më parë por mesazhi i saj është jashtëzakonisht i fuqishëm. Mbretëresha Shehrazade do të jetojë aq gjatë sa do të jetojnë edhe librat dhe përderisa ka njerëz të cilët lexojnë, shkruajnë dhe e vlerësojnë literaturën ajo do të jetë e pavdekshme.

Prandaj qëllimi i organizimit të gjithë kësaj shfaqje ka qenë promovimi i një mesazhi të tillë nëpër botën dhe të shërbejë si një thirrje tek të gjithë për të vazhduar të mos heqin dorë kurrë nga dashuria për literaturë dhe kërkimi i tyre për dituri.

Lexo po ashtu Rikthehet Shehrazade në '1001 Nights: The Last Chapter', shfaqje madhështore në Emiratet e Bashkuara Arabe
“]
Exit mobile version