Site icon Telegrafi

Vazhdon ikja e popullsisë nga Shqipëria

Në Shqipëri zona të tëra, jo vetëm malore, por edhe afër qyteteve, po vijojnë të braktisen nga popullsia, ndonëse kanë pasuri dhe investime të mëdha të vetë individëve.

Fshati “Andon Poçi” në Gjirokastër pak vite më parë numëronte rreth 40 biznese dhe 700 banorë, por tani ka vetëm një biznes dhe rreth 80 banorë.

Sipas banorëve arsyeja e mbylljes së bizneseve prodhuese është mos-mbrojtja e prodhimit vendas përmes politikave qeveritare. Disa ferma blektorale, të përpunimit të qumështit, madje edhe njësi për riciklimin e mbetjeve që u hapën pas viteve nëntëdhjetë në fshatin “Andon Poçi” tashmë janë mbyllur dhe sipërmarrësit janë larguar sërish në emigracion.

Vilat e banimit në vlerën e disa qindra mijë dollarëve, pothuajse janë braktisur, ndërsa banorët thonë se të rinjtë nuk kthehen për të jetuar në fshatin ku investuan kursimet e emigracionit.

Sipas banorëve, zona megjithëse ka pasuri të mëdha po braktiset prej mungesës së sigurisë për të ardhmen. Ky fshat në Luginën e Drinos është edhe nga zonat e rralla në Shqipëri ku një pjesë e madhe e banorëve vuajtën burgjet dhe persekutimet e regjimit komunist.

Një memorial në qendër të fshatit përkujton dhjetëra persona, familjet e të cilëve u internuan dhe u persekutuan në kampet që regjimi komunist ngriti në zona të ndryshme të Shqipërisë.

Exit mobile version