Greva e Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve do të vazhdojë derisa Qeveria të fillojë me zbatimin e marrëveshjes për subvencionim.
Kryetari i Shoqatës së Transportuesve, Ruzhdi Kurishaj në një deklaratë të dhënë për Telegrafin tha se nuk do të ketë transport rrugor as ditëve në vazhdim.
“Pa u zbatuar çështja e pagesës nuk ka kthim prapa, derisa nuk ka zbatim të marrëveshjes nga Qeveria, nuk ka transport rrugor. Kur Qeveria merr vendim dhe fillon të bëjë pagesat atëherë jemi në rregull. Protesta vazhdon”, theksoi ai.
Ndryshe, Shoqata e transportuesve sot në shenjë proteste për mos subvencionimin nga Qeveria në formë proteste ka parakaluar me autobusë në kryeqytet, ndërsa ndaljen e ka bërë para objektit të Qeverisë.
Greva e Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve, e të cilët vendosen që të ndalin qarkullimin e autobusëve ka filluar ditën e mërkurë.
Ndërkohë që kryeministri në detyrë Avdullah Hoti nëpërmjet një komunikate për media ka kërkuar nga SHTU-ja që sa më parë të kthejnë shërbime për qytetarët. Ai ka shprehur gatishmërinë për diskutim me përfaqësuesit e këtij sektori me qëllim të gjetjes së një zgjidhje të favorshme.
Në komunikatë thuhet edhe se, bizneset e sektorit të transportit të udhëtarëve kanë qenë përfitues nga masat e Qeverisë (pagesa prej 290 eurove për numër të të punësuarve, pagesa 50 për qind të qirasë, pagesa e 170 eurove). Në fund të komunikatës shpjegohet se pandemia COVID-19 ka prekur shumë sektorë dhe se është e pamundur që shteti të kompensojë çdo humbje që kanë pasur bizneset. /Telegrafi/