Po vazhdon greva e rreth 250 punëtorëve teknikë dhe të sigurimit fizik të Universitetit të Prishtinës dhe të Qendrës Studentore të cilët janë në grevë për shkak të pagave të ulëta.
Lajmin për Telegrafin e bëri të ditur kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili theksoi se 250 punëtorët do të jenë në grevë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Mirëpo siç u shpreh ai, nëse nuk ka zgjidhje sot, atëherë nga nesër do të ndryshojnë strategjinë e grevës.
“Greva ka filluar që nga dita e premte e javës së kaluar. Nëse nuk kemi ndonjë zgjidhje atëherë nga nesër ne do të ndryshojmë strategji të grevës”, tha Azemi, duke mos treguar se cila do të jetë kjo strategji.
Ndryshe, në fillim të muajit shkurt edhe rreth 120 punëtorë teknikë të shkollave fillore e të mesme në kryeqytet kishin nisur grevë. Për më shumë se një vit ata po kërkonin rritjen e pagave, njëjtë si punëtorët që janë nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës.
Por, pas disa dite grevë punëtorët teknikë të shkollave të kryeqytetit i janë kthyer punës, kjo pasi Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës kishte arritur një marrëveshje me Komunën e Prishtinës. /Telegrafi/