Ende është duke vazhduar greva e kirurgëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Përfaqësuesi i Kolegjiumit të kirurgëve, Arbër Morina në një prononcim për Telegrafin ka thënë se greva do të vazhdojë dhe nuk do të ndërpritet deri sa institucionet vendimmarrëse të Kosovës t’i plotësojnë kërkesat e tyre.
Moriana tha se grevës i janë bashkangjitur edhe ortopedët.
“Greva po vazhdon me të njëjtin intensitet dhe me të njëjtin ritëm ashtu siç edhe ka filluar në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Grevës iu janë bashkangjitur edhe klinika e Ortopedisë, ku pritet të ketë dhe klinika tjera”, ka thënë Morina.
Kirurgu Morina po ashtu tregoi se askush nga strukturat vendimmarrëse nuk ka shkuar që të bashkëbisedoj me ta.
“Nuk kemi biseduar me askënd. Nuk ka qenë askush nga strukturat vendimmarrëse që të interesohen për të bashkëbiseduar me ne. Çuditërisht është një heshtje mediatike e çuditshme…”, u shpreh ai.
Morina po ashtu theksoi se vetëm operacionet emergjente janë duke u kryer, ndërsa ato selektive jo.
“Operacionet emergjente kryhen të gjitha. Vetëm operacionet selektive janë në grevë dhe duke u shtyer, të cilat janë shtuar dita ditës”, tha ndër të tjera përfaqësues i Kolegjiumit të kirurgëve, Arbër Morina.
Ndryshe, sot janë bërë 25 ditë që kirurgët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kanë hyrë në grevë. /Telegrafi/