Në ditën e tretë të grevës së urisë në burgun e “Shutkës” tetë të burgosurit e Grupit të Kumanovës radikalizojnë grevën.
Sipas informatave nga qendra e paraburgimit të Shkupit, sot grevistët prapa grilave kanë refuzuar kontrollet mjekësore dhe nuk kanë pranuar të takohen as nga zyrtarët e Avokatit të Popullit.
Ndërkaq, organet kompetente për 3 ditë nuk kanë marrë parasysh kërkesat e këtyre tetë të burgosurve.
Thonë që burgu i Shutkës nuk ka juridiksion për tu dhënë atyre benefitet që kërkojnë.
“Sot mora informacionin që më 4 maj kanë nisur grevë urie. As nuk i di kërkesat e tyre, as nuk di saktë numrin e të burgosurve dhe as nuk di nevojat e tyre. Nga këtu do të shkoj tek Burgu Shkupit dhe do të bisedoj personalisht me ta, për kërkesat e tyre. Për ne, tani më me rëndësi është shëndeti i tyre. Duhet të shikoj dosjet e tyre personale a i plotësojnë kushtet, nëse po, të shohim në detaje nëse kanë ndjekur procesin e risocializimit dhe a shfrytëzojnë një numër të caktuar të të drejtave të tyre në burg”, tha Marjan Spasovski, Drejtoria e zbatimit të sanksioneve.
Marjan Spasovski, u premtoi të burgosurve se deri në datën 23 maj do ti transferoj në Burgun e Idrizovës, prej ku mund t’ju realizohet e drejta për vizita familjare, por jo edhe shkuarja në vikende në shtëpi. Por, ai tha se ndërkohë këto përfitime do të shqyrtohen në bazë të dosjes së tyre.
“Për shkaqe sigurie ky grup i të dënuarve nga rasti ‘Lagja e Trimave’ si shtetas maqedonas janë duke vuajtur dënimin në Burgun e Shkupit, sepse vetëm atje ka repart për persona me rrezikshmëri të lartë. Meqë bëhet fjalë për burg të llojit gjysmë të hapur”, u shpreh Marjan Spasovski, Drejtoria e zbatimit të sanksioneve.
Nga Ministria e Drejtësisë, zëvendësministri Agim Nuhiu tha se të burgosurit do tu garantohen të drejtat.
“Jemi në koordinim të vazhdueshëm me Drejtorinë për zbatim të sanksioneve, sot patëm një koordinim dhe kam kërkuar që të zbatohen të gjitha të drejtat karshi këtij grupi, pavarësisht epilogut nga procesi gjyqësor penal, ata në radhë të parë janë njerëz dhe të drejtat e tyre duhet të respektohen deri në fund”, theksoi Agim Nuhiu, Zëvendësministër i Drejtësisë./Alsat/