Në Gjykatën Penale në Shkup sot do të vazhdojë gjykimi për rastet e PSP-së “Monstra” dhe “Transportuesi”.
Rasti “Monstra” i cili ka të bëjë me vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012, ndodhet në fazën e dëshmive dhe sot duhet të prezantohen dëshmitë e siguruara nga masat PI, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Për vrasjen e Kire Triçkovskit, Filip Sllavkovskit, Cvetanço Acovski, Aleksandar Naqevski dhe peshkatarit Borçe Stefanovski, me burg të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim Ismailloviq, Agim Ismailloviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Luta.
Por, Gjykata e Lartë shfuqizoi aktgjykimin e shkallës së parë dhe rasti sërish u kthye nga fillimi dhe me të udhëheq Prokuroria Speciale.
Ndërsa, në bankën e të akuzuarve sot duhet të ulen edhe të akuzuarit në rastin “Transportuesi”. Ish-kryetari i Manastirit Vlladimir Taleski dhe 20 persona tjerë në këtë rast ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me organizimin e transportit të nxënësve në Manastir, me çka sipas aktakuzës së PSP-së kanë dëmtuar buxhetin prej rreth 360 mijë eurove./Telegrafi/