Telegrafi

Dëshmitari i parë përfundon dëshminë e tij – fajëson Pjetër Shalën për torturat që kishte përjetuar babi i tij

E plotësuar: Dëshmitari i parë i Zyrës së prokurorit të Specializuar, në gjykimin kundër Pjetër Shalës, ka përfunduar dëshminë e tij duke thënë se i akuzuari duhet të tregojë se çka ka ndodhur në Fabrikën e Metalit në Kukës.

Sipas tij, Shala ka qenë prezent në atë vend për të cilin dëshmitari pretendon se ka qenë kamp ndalimi ku janë keqtrajtuar njerëzit.

Seanca me kundërpyetjet e avokatit mbrojtës të Shalës ka vijuar e mbyllur për publikun.

Mirëpo në fund të saj, dëshmitari ka thënë se babai i tij kishte pasur probleme me shikimin për shkak të torturës që ai pretendon se i është bërë në Kukës. Sipas dëshmitarit, përgjegjës për këtë është Pjetër Shala.

“Me sa unë e mbaj në mend, diku 2008-ën veç ka filluar me humb shikimin, ka dokumentacionin ku është operuar, por pa sukses, i ka tetë vite prej kohës kur është mbajtur në kamp e përqendrimit, në burg sepse nuk është punë kamp, kështu që të gjitha i kanë ardhur nga aty, nga torturat çnjerëzorë deri në alivanosje ku babai tregonte që kur kanë ardhur njerëzit e tjerë u kanë thënë merre rrehe ti, tortura të ndryshme nga këta tre persona, me persona të tjerë që ka pasur, emrat nuk ka mundur t’i identifikoj. Mirëpo i dyshuari duhet të tregojë për të gjitha, çka është bërë aty, se ka qenë aty prezent, ka ushtruar dhunë, me gjithë personat e tjerë”, ka thënë dëshmitari.

Seanca në Hagë do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të dytë të ZPS-së, i cili mban numrin 6.

Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. /Telegrafi/

Vazhdon gjykimi ndaj Pjetër Shalës, avokati mbrojtës thotë se ka shpërputhje në deklaratat e dhëna nga dëshmitari i parë i mbrojtur

Në Hagë është duke vazhduar sot gjykimi ndaj Pjetër Shalës. Dëshmitari i parë i mbrojtur është duke vazhduar dëshminë e tij të cilën e filloi gjatë ditës së djeshme.

Me të nisur seanca, avokati mbrojtës i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen kërkoi nga dëshmitari që të sqarojë deklaratën e tij të djeshme lidhur me rrethimin e shtëpisë nga ushtarët e UÇK-së.

Avokati Jean-Louis Gilissen tha se ka mospërputhje me deklaratën e dëshmitarit të dhënë më 20 janar dhe shpjegimit që bëri dje në seancë.

Avokati Jean-Louis Gilissen

Pjesë nga gjykimi:

Avoakti Jean-Louis Gilissen: Më 20 janar i keni thënë hetuesve që ushtarët e UCK-së erdhën dhe rrethuan shtëpinë më 14 maj 1998 rreth orës 18:00, unë nuk isha në shtëpi në atë kohë. A mendoni se ka përputhshmëri me shpjegimin që ju na dhatë dje.

Gjykatësja Mappie Veldt- Foglia: Kjo u shpjegua dje.

Avokati Jean-Louis Gilissen: Po e di por mendoj se ka mospërputhje në deklaratën e dëshmitarit, nuk korrespondon me atë çfarë ka thënë dje dhe me deklaratën e tij

Prokurori: Sigurisht që avokati mbrojtës mund t’ia paraqes të gjitha deklaratat e mëparshme dëshmitarit. Por dëshmitari dje na shpjegoj, dhe unë ja tregova këtë pjesë të deklaratës së tij dhe ai na shpjegoj. Herën e parë nuk ishte në shtëpi ndërkaq herën e dytë po.

Avokati Jean-Louis Gilissen: Ju thatë që nëse ne duam të paraqesim një deklaratë dokument bazuar në deklarata e dëshmitarit ne duhet ta citojmë. Jam gati të citoj të gjitha ato pjesë të deklaratës që më nevojiten ti përfshijë në dosjen time por janë të gjata nuk i lexoj do të gjitha, prandaj preferoj të bëjë pyetje të shkurta dhe të vazhdoj në këtë formë. Është e pamundur ta ketë bërë këtë gabim date, flitet për një ditë. Dëshmitari shpjegoj vetëm një vizitë dhe dha një datë për këtë.

Gjykatësja Mappie Veldt- Foglia: Sigurisht ne duam që ju t;ia bëni të gjitha pyetjet dëshmitarit që janë të nevojshme për mbrojtjen. Ne jemi për gjykim të drejtë.

Prokurori: Nuk është deklaratë janë shënime të hetuesve të panënshkruara nga dëshmitari. Kur të flasim tu themi se janë shënime të marra nga hetuesit e jo deklarata nga dëshmitari.

Avokati Jean-Louis Gilissen: Unë dua që të paraqes në gjykatë pjesët më të rëndësishme të deklaratës. Nëse e pyesim vetëm për ato që lexuam dje atëherë është kot, nuk është e vërteta, nuk është realiteti.

Gjykatësja Mappie Veldt- Foglia: E kuptoj që është pjesë e rëndësishme e dëshmisë së dëshmitarit. E kuptoj që ju doni ti lexoni sot shpjegimet që ai ka dhënë lidhur me pyetjen që ka bërë ZPS-ja.

Avokati Jean-Louis Gilissen: Ishte pyetje që po e bëja a ti lexojmë të gjitha apo ti bëjmë pyetjet më të shkurta?

Gjykatësja Mappie Veldt- Foglia: Bëni një përmbledhje dhe ajo të ketë referenca. /Telegrafi/