Site icon Telegrafi

Vazhdon fushata në ndihmë të viktimave të dhunës seksuale (Video)

“Dhuroje për Nanën” është fushatë që këtë vit organizohet për herë të dytë dhe qëllimi kryesor është për ndihmë të nënave vetushqyese dhe grave në përgjithësi.

E këtë vit kjo fushatë po i dedikohet grave të keqtrajtuara gjatë luftës, apo viktimave të dhunës seksuale.

Drejtoresha e grupit “Për familjet në nevojë”, Rina Zeka në një intervistë për emisionin “PasDite” në RTV Dukagjini ka thënë se kjo fushatë po organizohet për herë të dytë në Kosovë.

Menaxherja e projektit tek qendra e gruas “Mami”, Saranda Bujupi Rama ka thënë se është kënaqësi të bashkëpunosh me grupin e vullnetarëve që u ndihmojnë femrave në nevojë.

“Këtë vit më shumë kemi dashur t’i përkrahim grupin e grave që kanë qenë viktima të dhunës gjatë periudhës së luftës. Kemi shitur 400 varëse nga 10 euro, nuk është ndonjë shumë e madhe për gratë, por janë shumë të kënaqura me aksionin. Ne po mundohemi t’i bëjmë të ndihen mirë në këtë “8 mars””, deklaroi Saranda Bujupi Rama.

Rina Zeka ka thënë se për shkak të pamundësisë për t’i nxjerrë vet në treg këto varëse të bërë nga gratë e dhunuara, ata kanë bashkëpunuar me një postë që ka shprehur vullnetin për t’u shërbyer këtyre grave.

“Meqenëse gratë nuk duan të ekspozohen, dhe ne nuk kemi shumë kapacitete njerëzore për të nxjerrë në treg në mbarë Kosovën, na ka ndihmuar posta e shpejtë “Gep” dhe kemi shitur pothuajse të gjitha. Këto gra, për dallim nga shumë persona që kërkojnë lëmoshë, nuk po na kërkojnë asgjë pasi ajo është puna e tyre dhe kanë shpenzuar mund për të bërë këto vepra arti”, deklaroi Rina Zeka./Telegrafi/

Exit mobile version